Partitë që do të duhet të shkojnë në koalicion në zgjedhjet e 25 prillit do të duhet të regjistrohen mbrëmjen e sotme në Komision Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë, jemi në pritje të përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i cili ndonëse ishte paralajmëruar se do të mbërrinte në KQZ në orën 20:00 të mbrëmjes, me sa duket lëvizjet e fundit në radhët e demokratëve kanë bërë që të dalin situata të paparashikuara.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri ka raportuar nga KQZ-ja që kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e ka firmosur marrëveshjen për koalicion pas shumë negociatash me kryedemokratin Lulzim Basha.

“Nard Ndoka ishte fillimish ai i cili lajmëroi që nuk e ka firmosur  marrëveshjen për të shkuar në koalicion së bashku me kryedemokratin Lulzim Basha dhe 13 partitë e tjera aleate. 

Por siç duket, pasi disa negociatave në selinë blu është arritur marrëveshja.

Nuk kemi detaje nga kjo marrëveshje duke qenë se me secilën parti kanë qenë specifike, qoftë për numrin e kandidatëve që do të jenë në listën e përbashkët por edhe renditjen e tyre.

Flitet që Nard Ndoka do të jetë kandidat në Shkodër por kjo mbetet për t’u konfirmuar, ndërkohë jemi edhe në pritje të firmosjes së marrëveshjes me frymën e re demokratike të ish-presidentit Bamir Topi”, raporton gazetarja Klesiana Omeri.

Klan News