Më 27 Nëntor 2007, Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë Nard Ndoka ishte i ftuar në studion e “Opinion Plus” në Tv Klan.

Intervista fokusohet në zhvillimet e atyre ditëve, që lidhen me firmosjen e një marrëveshje mes koalicionit qeverisës (Partia Demokratike) dhe Partisë Demokristiane për pjesëmarrjen e kësaj të fundit në koalicionin qeverisës.

Një marrëveshje, e cila pritej që pas zgjedhjeve të vitit 2005, por që kishte ngrirë për arsye të ndryshme, por që i ka dhënë rrugë zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje që do t’i kushtonte koalicionit qeverisës 7 vota në Parlamentin e Shoqërisë.

Blendi Fevziu: Si janë sot raportet tuaja me mazhorancën?

Nard Ndoka: Raportet e PDK me mazhorancën kanë qenë në vazhdimësi të mira, pra raporte normale. Tani mund të them se janë jashtëzakonisht të mira.

Blendi Fevziu: A ka pasur hatërmbetje nga mazhoranca në lidhje me PDK, gjë qe e ka vonuar edhe këtë marrëveshje?

Nard Ndoka: Ka pasur probleme, probleme nga më të ndryshmet, deklarata, kundërdeklarata, kur je në një proces negociatash qëndrimet duhet të jenë tepër të kujdesshme. Gjykoj që të dyja palët kanë pjesën e tyre të fajit. Duhet të krijohet një klimë besimi mes palëve, kjo nuk ekzistoi, për fatin e keq mes PDK dhe PD dhe gjërat arritën deri aty sa të ngrihej një marrëveshje paraelektorale për bashkëqeverisje. Kjo unë gjykoj që ishte një pikë kritike për PDk dhe strukturat e saj dhe e kam vlerësuar jashtë mase edhe dorëheqjen e zotit Lesi në këtë pikë, kur gjërat ishin mjaft të acaruara mes dy partive politike.

Blendi Fevziu: Pra ju po thoni se dorëheqja e Zotit Lesi i hapi rrugë nënshkrimit të marrëveshjes?

Nard Ndoka: Ishte një proces i cili vazhdoi disi më me shpejtësi. Zoti Lesi dha dorëheqje për një përgjegjësi më të madhe ndaj strukturave që ai kishte bashkëpunuar me ta, për ta arritur atë rezultat.

Blendi Fevziu: A është bërë dorëheqja e zotit Lesi mbi bazën e një kompromisi që ai duhet të tërhiqej nga PDK, dhe nëse kjo parti do të hynte në koalicion zoti Lesi do të bëhej ministër?

Nard Ndoka: Jo, në mënyrë absolute ka qenë një tërheqje e zotit Lesi për t’i dhënë një frymëmarrje më të madhe PDK, strukturave të saj për një përfaqësim dhe përgjegjësi, dhe në asnjë rast nuk ka patur një…

Blendi Fevziu: Nuk ka pasur një pazar mes jush në këtë drejtim?

Nard Ndoka: Në mënyrë absolute. Do ta vërtetojë edhe koha në të ardhmen që nuk ka ekzistuar dhe nuk kishte pse të ndodhte.

Blendi Fevziu: Ju keni firmosur një marrëveshje me PD që drejton koalicionin qeverisës, sipas kësaj marrëveshje ju do të jeni pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve?

Nard Ndoka: Po, PDK do të jetë pjesë e mazhorancës, pra ne realisht jemi pjesë edhe sot dhe përfaqësohemi me zv/ministrin e Jashtëm dhe disa persona të tjerë në nivele të dyta dhe të treta, por për ne ishte e rëndësishme që patjetër të kishim një marrëveshje për bashkëqeverisje me PD, edhe në aspektin moral…

Blendi Fevziu: Ishte çështje marrëveshje apo përfshirjeje në qeveri?

Nard Ndoka: Për ne ishte mjaft e rëndësishme marrëveshja, që PDK të ishte pjesë e kësaj mazhorance, ta mbështesë në jetën parlamentare dhe patjetër që disa gjëra duhet të precizohen, marrëdhëniet me një parti nuk duhet të vendosen me humorin e mirë apo të keq që ka një parti, apo në ditët me diell ose me shi, por të jenë marrëdhënie të qarta dhe të sanksionuara me një marrëveshje, sipas të cilës të kenë përgjegjësi të dyja palët.

Ndoka tha se nuk ishte primare as për PDK dhe as për grupin parlamentar me çdo kusht prezenca në qeveri, por ata do të tentojnë të jenë pjesë e saj.

Blendi Fevziu: Gjithsesi, a do të tentoni të jeni pjesë e qeverisë?

Nard Ndoka: Pa diskutim që po, kjo është diçka normale besoj kur je pjesë e një mazhorance, do të marrësh edhe përgjegjësitë tuaja. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me kryeministrin Berisha, për fatin e mirë nuk ka pasur asnjë lloj problemi mes PD dhe PDK, mes zotit Berisha dhe PDK, për një periudhë të gjatë kohore ka pasur një mirëkuptim. Edhe qëndrimi që ne kemi mbajtur në parlament nuk ka qenë pjesë e një presioni, përkundrazi, kanë qenë qëndrime koherente, të cilat gjykoj që do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen kur ne të jemi realisht të përfaqësuar në qeveri.

Blendi Fevziu: A do të ishte i gatshëm Zoti Berisha ta mirëpriste një përfaqësues tuajin në qeveri?

Nard Ndoka: Këtë tashmë Zoti Berisha e ka shprehur, kemi firmosur një marrëveshje dhe nuk besoj se ka pengesa dhe as paragjykim, por ka një frymë mirëkuptimi dhe kjo është shumë e rëndësishme. /tvklan.al