Një ndër të ftuarit në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë politikani i njohur Nard Ndoka i cili ka rrëfyer se kur ka nisur të punojë për herë të parë. Ai ka bërë punën e tij të parë kur ishte 15 vjeç dhe në pamundësi për të ndjekur një shkollë sepse vinte nga një familje të persekutuarish, ai hyri në një shkollë profesionale, ku dhe ajo ishte e vështirë sipas Ndokës, por në fund ia arriti të punonte si elektro-auto, profesion i cili ka të bëjë me rregullimin e makinave. Ai tregon se këtë punë e ka bërë për disa vite me radhë dhe me ardhjen e demokracisë pati mundësi që të ndiqte degën e juridikut.

Rudina Magjistari: Nard Ndoka, 15 vjeç cila ka qenë puna jote e parë?

Nard Ndoka: Unë kam pasur disa pengesa më përpara, ishte persekutimi i familjes time, që ishte ëndërr vazhdimi i shkollës së lartë, kështu që do tentoja pa diskutim që të kisha një shkollë profesionale. Edhe shkolla profesionale ishte shumë e vështirë, që do përfundoja ose në shkollë bujqësore, kishte një shkollë të mesme bujqësore dikur ose ishte shkolla e përgjithshme, edhe aty duhet një mik i fortë, ndërsa për të marrë një degë profesionale ishte në kufijtë e pamundësisë, kështu që unë jam detyruar që 15 vjeç, kuptohet që me ndihmën e prindërve se atëherë isha shumë i vogël, kam ikur në Fierzë dhe jam regjistruar në një shkollë profesionale, degë elektrike dhe kam punuar, zgjodha një profesion, elektro-auto. Është një profesion që unë e kam dashuruar për hir të realitetit, pra është ai personi që merret komplet me pjesët elektrike të një makine me dritat, me ndezjen, me dinamon që prodhon energjinë.

Rudina Magjistari: Në qoftë se nuk do ishe bërë një politikan, do ishe pronari i një servisi makinash?

Nard Ndoka: Po, edhe ndoshta edhe më mirë. Pastaj i jam përkushtuar këtij profesioni për disa vite, në ’90-ën erdhi demokracia, është hera e parë që e përdora statusin e të persekutuarit se me thënë të drejtën, nuk kam patur asnjëherë dëshirën në 30 vite, që ta përdorja si kartë, më dukej vetja sikur e përdornin dikur fëmijët e komunistëve.

Rudina Magjistari: Pse e ke përdorur statusin e të persekutuarit?

Nard Ndoka: E përdora që të regjistrohesha të vazhdoja juridikun. Unë kam qenë i persekutuar goxha.  Gjyshin e dënuan me pushkatim, gjyshi nga nëna u arratis në Gjermaninë perëndimore, xhajën e babës e dënuan me 30 vite burg politik, pra isha në kufijtë e pamundësisë./tvklan.al