Lëshimi historik i një rakete të NASA-s dhe kompanisë private SpaceX është shtyrë për shkak të kushteve të motit.

Lëshimi i saj mund të ndodhë më 30 Maj. Nisja e raketës drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës ishte parashikuar të ndodhte të mërkurën në mbrëmje, por fluturimi u vendos të shtyhet, për shkak se në momentet e fundit moti ishte me stuhi dhe vetëtima.

Ky do të ishte fluturimi i parë pas nëntë vitesh i NASA-s në hapësirë.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe zv/presidenti Mike Pence shkuan në bazën në Florida për të parë nisjen.

Brenda raketës ishin dy astronautë të NASA-s, koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe koloneli i Forcave Ajrore, Bob Behnken.

Behnken dhe Hurley kanë qenë në karantinë në dy javët e fundit, si një masë kundër koronavirusit.

Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritej të lëshohej nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida.

SpaceX po bëhet kompania e parë private që dërgon njerëz në hapësirë.

Nëse fluturimi do të jetë i suksesshëm, ai do të shënojë një moment thelbësor në eksplorimin e hapësirës me operimin e parë të një kompanie private, në një fushë që për shtatë dekada ka simbolizuar fuqinë e një numri të vogël shtetesh.

Presidenti amerikan Trump është duke u përpjekur të riafirmojë sundimin amerikan të hapësirës dhe ka urdhëruar një rikthim në Hënë në vitin 2024. /REL