Njoftimi i Beogradit për tërheqjen sot të 250 ushtarëve serbë nga Kosova është pritur pa shpresë në radhët e Aleancës. Ka dominuar bindja se ky mund të jetë një bllof i Millosheviçit i cili në shumë raste të tjera ka deklaruar tërheqje si në Tetorin e kaluar, por që pastaj kthehej me trupa të reja e përforcime. Mund të jetë një manovër por dhe sikur të jetë e vërtetë tërheqja e 250 trupave nga rreth 40 mijë sa ka në Kosovë, është e pamjftueshme.

Edhe Shtetet e Bashkuara theksuan se tërheqja e një numri ushtarësh serb, është e papërfillshme. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Lokard, theksoi se është me rëndësi që Millosheviçi t’a dije se çfarë duhet të bëje. Dhe për sa kohë ai refuzon t’a bëjë këtë, do të përballojë bomabrdimet e NATO-s. NATO ka njoftuar se natën e kaluar kishte vënë në objektiv trupat jugosllave në Kosovë, por keqësimi i motit bëri që sulmet të jenë më të reduktuara.

Megjithatë bilanci i objekteve të bombarduara nuk ka qënë i vogël. Janë sulmuar pika strategjike dhe forca serbe në shumë komuna të Kosovës. Natën e 50 të fushatës ajrore sipas njoftimeve të NATO-s janë shkatërruar dhe 5 avionë të tjerë në tokë. Edhe mbrëmë janë bombarduar, ura, linja komunikimi, ndërtesa e Radiotelevizionit Serb në Novi Sad, Aeroporti i Badanicës dhe ai i Prishtinës. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar dhe në qytete të tjera./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj