Mbrëmja e gjashtë e spektaklit të vallëzimit “Dance Albania” në Tv Klan, u çel me hyrjen e dy konkurrentëve të rinj. Pas eleminimit të Arta Nitajt javën e kaluar, garës iu bashkuan Visjan Ukcenaj dhe Melisa.

Visjani ishte i pari që zbriti në pistë duke hapur siparin e performancave dhe të batutave. Përgjatë mbrëmjes, aktori nuk i kurseu shakatë me jurinë e konkurrentët.

Arbnora Ademaj tregoi pak nga aftësitë e saj në aktrim në improvizimin e situatave të ndryshme, por duket se kjo nuk e ka përgatitur bukuroshen për një propozim martese. Ademaj u shpreh se nëse do t’i vinte një rast i tillë, nuk do e pranonte.

Momente emocionuese për Anita Haradinajn dhe Adelina Tahirin. Të dyja konkurrentet u shprehën se i ka marrë malli për fëmijët, ndërsa iu mbusheshin sytë me lot.

Anita tregoi anën emocionale të saj edhe në skenë, ku u prek për “pikën e saj të dobët”. Surpriza për të gjithë spektatorët ishte edhe bashkëshorti i saj, Ramush Haradinaj, i cili e kishte ndjekur një ditë në prova. Ish-kryeministri i Kosovës e mbuloi në fjalë të ëmbla gruan e tij, ndërsa shkëmbyen edhe një puthje.

Kastro Zizo rrëfeu mbrëmjen e shkuar se mbështetësi i tij më i madh është djali i vogël. Por në një surprizë, Dankani, djali i madh, i cili i ka dhuruar për herë të parë ndjesinë e të qenurit baba kur ishte vetëm 22 vjeç, i dha një vlerësim prej 30 pikësh këngëtarit.

Kupa e mbrëmjes shkoi për Arbnora Ademajn, perfomanca e së cilës u vlerësua me një mesatare prej 8 pikësh. Garën u detyrua ta braktisë futbollisti Andi Lila pas ndeshjes me Meridian Ramçajn, i cili u ndodh për herë të dytë rishtazi në një sfidë.

Kush fitoi dhe kush u largua nga “Dance Albania”

Fundi i mbrëmjes në “Dance Albania” është i ëmbël dhe i hidhur. Kjo për arsye se ka një fitues që rrëmbën kupën, por edhe një konkurrent i cili largohet nga show i kërcimit.

Mbretëresha e natës së sotme u shpall Arbnora e cila mesatarisht kishte mbledhur 8 pikë.

Ndërsa për konkurrentin që do të linte garën pati një sfidë mes Andi Lilës dhe Meridian Ramçaj.

Në fund, juria vendosi që nga programi të largohej ish-futbollisti i kombëtares, Andi Lila.

“Ishte kënaqësi që mora pjesë në këtë spektakël kaq të bukur. Njoha miq mjaft të mirë. Ishte kënaqësi, diçka ndryshe në jetën time. Sa i përket jurisë, kam qëndruar gjallë, mendoja që do ikja pak më shpejt”, tha Lila.

“Mirë që s’u lidhëm”, Vejsiu-Melisës: Nuk jemi në “Love Story”

Konkurrentja e re e natës së gjashtë të “Dance Albania” në Tv Klan, Melisa, duket se e nisi mbarë. Klaudia Pepa u shpreh se ka premisa për të kërcyer, por iu duk e shkëputur nga partneri. Por për këtë mendim të profesionistes, duket se Melisa kishte mendim tjetër pasi tha “mirë që s’u lidhëm”.

Klaudia Pepa: Në një disiplinë të tillë, sidomos në çift ka shumë rregulla. Ti sot ishe pak, shumë pak e lidhur me partnerin. Kjo është e vetmja vërejtje që mund të të bëj tani si performancë e parë.

Alketa Vejsiu: Ermal.

Ermal Mamaqi: Mirë, më pëlqeu Melisa, na tregoi dhëmbët që në fillim, ishte impenjative, lum si Erindi, si veshka mes dhjamit.

Melisa: Mirë që s’u lidhëm.

Ermal Mamaqi: Domethënë nga Arta shkove te Melisa, a të ka marrë malli për Artën?

Melisa: Jo.

Alketa Vejsiu: Mirë që s’u lidhëm në çfarë kuptimi moj Melisa?

Melisa: Mirë që s’u lidhëm në sensin…

Alketa Vejsiu: Ah, mirë që s’u lidhëm në sensin mirë që s’u ngjitën këta të dy se thashë mos do lidheshe me Erindin këtu. Se këtu nuk jemi në “Love Story”, jemi në “Dance Albania”.

Baba kur ishte 22 vjeç! Kastro Zizo surprizohet me 30 pikë nga djali i tij

Kastro Zizo njihet si një artist sfidues dhe e ka prekur skenën e ekranit në forma të ndryshme, si këngëtar, moderator dhe së fundmi si kërcimtar. Ai është një nga konkurrentët e spektaklit të vallëzimit “Dance Albania” në Tv Klan.

Edhe pse nga juria ai asnjëherë nuk ka marrë 10 pikë, këtë të hënë pati një surprizë për të. Kastro mori plot 30 pikë nga ai që u prezantua si anëtari i 4 i jurisë, që s’ishte askush tjetër veç djalit të madh të këngëtarit, i cili e ka emrin Dankan.

Alketa Vejsiu: Djali i parë i Kastros, se Kastro ka tre fëmijë, ka ditëlindjen sot.

Kastro Zizo: Unë nuk dua ta zgjasë shumë…

Alketa Vejsiu: Jo, mos e zgjat se kam hallin e djalit tani, nuk kam merakun tënd. Dua të tregoj diçka të bukur tani…

“Përshëndetje! Jam anëtari i katërt i jurisë dhe sonte dua t’i jap Kastros 10 pikë si artist, 10 pikë si babai im i dashur dhe 10 pikë si shoku im më i mirë. Jam krenar që jam djali yt. Të dua shumë dhe shpresoj të festojmë bashkë së shpejti”, tha në një video për spektaklin Dankan, duke e emocionuar kështu Kastro Zizon.

Alketa Vejsiu: Ky është djali që të ka bërë baba për herë të parë në moshën?

Kastro Zizo: Unë isha vetëm 22 vjeç.

Alketa Vejsiu: 22 vjeç baba Kastro!

Ermal Mamaqi: E dimë se jemi rritur me Kastron, ia njohim jetën e mrekullueshme.

Kastro Zizo: Dankan edhe 100 babi! Të do babi. Suksese në jetë!

“Gjysmën e zemrës nuk e kam këtu”, Adelina Tahiri: Më shkon e tërë dita duke qarë

E emocionuar për rikthimin në skenë, Adelina Tahiri rrëfen në “Dance Albania” në Tv Klan se e gjitha kjo ka edhe një anë që nuk është shfaqur deri më tani. Prej tre javësh, këngëtarja është shpërngulur në Tiranë, por ditëve të saj iu mungon njeriu më i rëndësishëm.

Adelina Tahiri: Jam e përmbushur komplet nga emocionet e skenës, por ka një pjesë tjetër që unë po e vuaj shumë. Gjysmën e zemrës time nuk e kam këtu.

Ai është djali im, i cili më mungon jashtë mase shumë dhe nëse jam në momentet më të lumtura kur unë qesh, në atë moment më vjen një mesazh nga burri dhe është çuni im duke më parë mua ose duke më kërkuar mua, unë aty ndërroj komplet disponimin tim, gjendjen time emocionale dhe nuk e marr dot veten 4 orë të tjera. Tani më shkon e tërë dita duke qarë.

Spektatori i veçantë i Anitës, puthje mes çiftit Haradinaj: Je shumë e mirë dhe e guximshme

Anita Haradinaj ka patur një spektator të veçantë gjatë provave në Dance Albania. Bashkëshorti i saj, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte në Tv Klan për ta ndjekur teksa kërcente. Pasi shijoi performancën e gruas së tij, mes çiftit Haradinaj u shkëmbyen disa puthje. Ish-kryeministri i Kosovës nuk ngurroi që të shprehte vlerësimin e lartë për bashkëshorten e tij.

Ramush Haradinaj: Shumë e mirë je, shumë e guximshme. Kjo për mua është krejt ndryshe!

Anita Haradinaj: Do të doja që ti të kërceje me mua aty, të bësh një dy padjeshka.

Ramush Haradinaj: Për aty nuk e di me kërcy, tashi që ke mësuar ndoshta. Sa e mirë je e dinë të gjithë!

Anita Haradinaj në këtë sfidë kërcimi ndodhet larg shtëpisë dhe fëmijëve dhe nuk i ka mbajtur dot emocionet teksa është shprehur për ta.

Anita Haradinaj nuk i mban lotët: Trimin e kam pikë të dobët

Në klipin e Anita Haradinaj në “Dance Albania” në Tv Klan, gazetarja shfaqet e përlotur dhe e prekur. Ajo tregon se arsyeja është malli për fëmijët dhe periudha e gjatë larg tyre.

“Po flisja pak me fëmijët, më ka marrë malli. S’jam mësuar të rri kaq larg. Unë jam mësuar të rri në shtëpi, të bëj detyrat e mamit, të bëj detyrat e gruas”, thotë Anita.

Gjatë performancës dhe në fund të saj, Anita nuk i përmbajti dot emocionet sepse në klipin e transmetuar u shfaqën tre fëmijët. Me lot në sy, ajo tregon se i vogli, Trimi është pika e saj e dobët.

Anita Haradinaj: Pse ma nxorët Trimin aty?

Alketa Vejsiu: Epo ne Trimin e duam, s’e do vetëm ti. Të ka marrë malli?

Anita Haradinaj: Unë shkoj e shoh, por Trimin e kam pikë të dobët.

Alketa Vejsiu: E kuptove Trim? Ne e kuptuam, je një dashuri e vërtetë.

Propozim për martesë? Arbnora Ademaj: Do i kisha thënë jo, nuk jam gati

Në klipin e javës të “Dance Albania” në Tv Klan, Arbnora Ademajt iu dhanë sfidat e vështira për të portretizuar situata të ndryshme aktrimi, një eksperiencë të cilën do ta shohim në Netflix. Por duket se modelja bukuroshe nuk aktron dot kur vjen puna te çështjet e zemrës sepse në rastin e një propozimi për martesë, “nuk është gati”.

Arbnora Ademaj: Te kjo detyrë  e vështirë. Dhe nuk e di pse më duket shumë e vështirë pjesa e përjetimit të këtyre gjërave, ndoshta sepse nuk e kam përjetuar vetë dhe ndoshta për momentin do i kisha thënë jo, sepse nuk jam gati.

Pas përfundimit të performancës së saj në spektakël, momenti i propozimit nuk kaloi edhe pa një koment tjetër.

Alketa Vejsiu: Kur e pyetën dhe i thanë një propozim romantik martese, si do reagoje, tha “s’jam gati”. S’ishe gati.

Arbnora Ademaj: Nëse e kuptove boll u shkarravita këtu duke jetuar atë dashuri.

Ermal Mamaqi: Varet kush e ka bërë propozimin se ajo është një faktor shumë i rëndësishëm për të qenë gati.

Alketa Vejsiu: Ne iu referuam partnerit aktual, atij që i mban dorën edhe kur ha supë aty te restoranti yt, ai i mban dorën dhe ia puth.

“Ëndrra ime, të më ngrejë njëherë Dioni!” Ermal Mamaqi mahnitet nga padjeshka e Cindy-t me Dionin

Cindy Marina ka treguar gjatë këtyre javëve në spektaklin e vallëzimit “Dance Albania” në Tv Klan se ajo  mund të jetë një balerinë shumë e zonja. Edhe këtë të hënë ajo dhuroi një performancë shumë të bukur. Duke realizuar edhe një padjeshkë shumë të vështirë.

Performanca nuk ishte mjaftueshëm për dy anëtarët e jurisë Klaudia Pepa dhe Ilir Shaqirin, por i pëlqeu shumë anëtarit të tretë, Ermal Mamaqi, i cili madje tregoi edhe një ëndërr të pazakontë të tij, ta ngrejë njëherë balerini që konkurron së bashku me Cindy-n, Dioni.

Ermal Mamaqi: Cindy më pëlqeu shumë dhe të them të drejtën, Dioni është ai që fshihet pas këtij suksesi. Desha të di kjo dora e Dionit si karrige, nga ato karriget e larta…

Ilir Shaqiri: Është stucchi, vjen nga rusishtja dhe ulesh si në karrige.

Alketa Vejsiu: Bëjeni edhe njëherë.

Ermal Mamaqi: Jo, jo mos e bëni se duhet të ketë dhimbje kjo gjë për Dionin

Ilir shaqiri: Bravo i qoftë Dionit që realizon një padjeshkë të tillë me një jo balerinë.

Ermal Mamaqi: Dioni desha të them është ai që fshihet pas një suksesi dhe ëndrra ime është të më ngrejë njëherë Dioni. 

Dioni: Absolutisht, është një nga padjeshkat më të vështira në profesionin tonë. Do një koordinim të partneres dhe të partnerit. Pra është shumë e vështirë dhe e kemi realizuar shumë mirë megjithëse kemi pasur shumë frikë për këtë. Sepse në momentin që je lartë mund të ndodhë gjithçka. I ka ndodhur edhe profesionistëve të bien nga lartë. Kemi punuar ta nxirrnim një numër të tillë.

“Thashë se kishe nevojë për pjesën poshtë”, Visjani batuta me jurinë: Lemeriset Iliri fare

Me një hyrje plot zjarr në “Dance Albania” në Tv Klan, Visjan Ukcenaj nuk e la të “shuhej” as pas përfundimit të performancës së tij të parë në spektakël. Gjatë vlerësimit, nuk munguan batutat me jurinë. Vërejtjen e lehtë të Klaudia Pepës, aktori e kaloi me sportivitet.

Klaudia Pepa: Një miks mes tangos, Paso Doble-s, lëvizjes seksuale, megjithatë me pjesën lart duhet të punosh shumë në gjithë këtë edicion.

Visjan Ukcenaj: Unë thashë se kishe nevojë për pjesën poshtë, paske nevojë për pjesën lart.

Ndërkohë, me Ermal Mamaqin ngacmimet nuk reshtën asnjë sekondë.

Ermal Mamaqi: Nuk e di a jam më shumë i kënaqur që ke ardhur ti apo Marjana sot, sigurisht që jo ti.

Visjan Ukcenaj: Unë do isha i shqetësuar nëse do jesh kënaqur që po vij unë, ka një problem.

Ermal Mamaqi: Ishe pak i ngurtë, megjithatë duket qartë…

Visjan Ukcenaj: Është prania jote që më ngurtëson Ermal, më intimidon prania jote, të lutem.

Ermal Mamaqi: Po duket që e ke marrë seriozisht dhe më pëlqeu kjo gjë, e ke marrë seriozisht, jo si “Klanifornia”.

Visjan Ukcenaj: Është e vërtetë sepse aty i themi të vërtetat duke qeshur.

Ermal Mamaqi: Sigurisht do e kisha shijuar më shumë të paktën bluzen që të tregon ca gjëra.

Visjan Ukcenaj: Patjetër.

Ermal Mamaqi: Kaq kisha.

Visjan Ukcenaj: Imagjino ta nxjerrësh ti kështu. Lemeriset Iliri fare, që të ka shok, s’të paskam njohur kështu. Faleminderit Ermal për komentet pozitive.

Melisa dhe Visjani, dy konkurrentët e rinj të “Dance Albania”

Surprizat nuk kanë fund në “Dance Albania”! Dy konkurrentë të rinj i janë shtuar emisionit më të ndjekur të kërcimit në Tv Klan. Ata janë Melisa Lleshi dhe Visjan Ukcenaj.

Të gjithë e njohim Melisën për angazhimin e saj në muzikë së fundmi, por tanimë duket se do të sfidojë veten edhe në kërcim.

Njëjtë edhe për Visjanin. Aktori i njohur i humorit, sidomos për skeçet në emisionin “Klanifornia”, do të vijë çdo të hënë në skenën e “Dance Albania” për të treguar aftësitë e tij në kërcim./tvklan.al