Nata e tetë e “Dance Albania” në Tv Klan solli në pistën e vallëzimit ritmet e bukura të këngëve hit shqiptare, meloditë rinore që “çmendin” brezin e ri në klubet e natës.
Libri i Ermal Mamaqit, “Në garë me veten” kryesoi edhe batutat mes tij e Alketa Vejsiut, të cilët ndajnë shumë të përbashkëta si dy miq lidhur me këtë pjesë. Mes të tjerash, Vejsiu shtoi se kjo i përshtatet edhe vetë spektaklit, i cili nuk është “në garë me të tjerët, por me veten”. Sa i përket librit, Mamaqi iu kërkoi kritikëve që ta lexonin përpara se ta komentonin.
Fituesja e natës së shkuar, Orgesa Zaimi çeli spektaklin me performancën e saj, por kësaj here, vëmendjen e mori partneri, Franko. “Ke një kak në dorë!”, ishte komenti “alarmues” i Mamaqit që shkaktoi zhurmë dhe të qeshura, por gjendja u qetësua menjëherë pas sqarimit të profesionistit.
Situata u “nxeh” pak mes Visjan Ukcenajt dhe Ilir Shaqirit, si rrjedhojë e vlerësimit të njëjtë që kryetari i jurisë pati për aktorin. Arbnora Ademaj, një ndër të parat që ka shtënë në dorë librin e Ermal Mamaqit, i kërkoi një autograf në të autorit të tij. Bukuroshja rrëfeu se në perfomancën e natës së shkuar si një Catwoman, ku kostumi i ngushtë u gris gjatë provave, nuk do ishte një pengesë për të as nëse do ndodhte në skenë.
Melisa ishte konkurrentja që pati një mori komentesh për performancën e saj dhe jurinë. Ajo tha se javën e shkuar kishte qenë me injeksione, por “nuk donte ta përdorte si justifikim“. Për “baletin kamasutra”, siç e vlerësoi Mamaqi, ajo tha se “nëse do e tregonte, ai do pendohej për pikët”. Më tej, shtoi se ndihej e zhgënjyer nga reagimi i Shaqirit dhe komentet e jurisë.
Kjo nuk mbaroi këtu sepse konkurrentët e tjerë kërkuan një të vërtetë nga Melisa. Ishte mikesha e saj, Adelina Tahiri e cila i drejtoi pyetjen nëse ajo vinte nga shkolla e baletit pasi do të ishte e padrejtë për konkurrentët e tjerë, diçka që Melisa e mohoi.
Ilir Shaqiri do të jetë pjesë e “L’Isola dei Famosi” në Itali. Lajmi i bujshëm u dha nga Alketa Vejsiu, e cila nuk vonoi as me parashikimet për fitore.
Klaudia Pepa hodhi poshtë aludimet e mediave se dëmtimi i saj në gju është një shkëputje e përhershme nga kërcimi. Balerina sqaroi se mjeku i ka rekomanduar një pushim 3-mujor, ndaj kjo do jetë një fazë e shkurtër për rehabilitim.
Klaudia Pepa hedh poshtë zërat për shkëputjen nga kërcimi: Mjeku më kërkoi 3 muaj pushim
Nga studio e spektaklit Dance Albania, Klaudia Pepa sqaroi se shkëputja e saj nga kërcimi është për një fazë të shkurtër, për shkak të një dëmtimi në gju. Balerina me famë ndërkombëtare tha se mjeku i ka këshilluar 3 muaj pushim. Ajo hodhi poshtë lajmet nëpër media se nuk do të kërcejë më.
Klaudia Pepa: …Kam një problem aktual me gjurin, kam një inflamacion poshtë kupës së gjurit dhe për fat të keq ndonjëherë duhet t’i japim prioritet shëndetit.
Alketa Vejsiu: Sa kohë pushime ka kërkuar mjeku për ty?
Klaudia Pepa: 3 muaj.
Alketa Vejsiu: 3 muaj pushim, nuk duhet të vallëzosh.
Klaudia Pepa: Absolutisht jo.
Alketa Vejsiu: Ta specifikojmë sepse ishin të shqetësuara të gjitha mediat: “Klaudia Pepa nuk do të vallëzojë më”.
Klaudia Pepa: Jo-jo.
Alketa Vejsiu: Është një fazë e përkohshme për rehabilitim, do vallëzosh gjithë jetën.
Klaudia Pepa: Është një fazë e shkurtër.
Adelina i “kërkon” llogari Melisës: A është e vërtetë që…
Njohuritë e Melisa Lleshit në kërcim kanë ndezur kuriozitetin e konkurrentëve të “Dance Albania” në Tv Klan. Për të shuar kureshtjen e tyre, Adelina Tahiri i bën një pyetje të drejtpërdrejtë Melisës, nëse ajo ka studiuar në shkollë baleti. Bisedës i bashkohet edhe Visjani, i cili i thotë “pse bën si amatore kot” kur ka kërcyer në “Klanifornia” duke rrëmbyer një milionë klikime. Kjo deklaratë e aktorit pasohet nga një komentim i Alketa Vejsiut.
Adelina Tahiri: Alketa, unë kam një pyetje për Melisën sepse unë jam kureshtare të di, unë e kam shumë mike dhe e dua shumë, por dua ta pyes a është e vërtetë që ka shkollë baleti sepse ne të gjithë konkurrentët jemi kureshtarë të dimë të vërtetën.
Melisa Lleshi: Unë kam kërcyer për qejf, kam bërë edhe 2-3 kurse sepse duke qenë se jam edhe artiste i jam futur edhe fushës së muzikës dhe ti duhet ta dish më mirë se unë që duhet të kesh lirshmëri në lëvizje.
Visjan Ukcenaj: Melisa, ti ke kërcyer ke 1 milionë klikime në video te “Klanifornia”, ke kërcyer me balerinët.
Melisa Lleshi: Po s’kam qenë soliste mo Visjan.
Visjan Ukcenaj: Po kujt i intereson mi, ke kërcyer.
Melisa Lleshi: Kaq bëra te DJ, s’bëra dot unë.
Visjan Ukcenaj: Po pranoje mi sorkadhe që ke kërcyer, pse bën kështu si amatore kot.
Alketa Vejsiu: Prit o Visjan se nuk e kapëm. Ça bëre mi ti Melisa?
Melisa Lleshi: Kaq kam bërë, një, dy tre.
Alketa Vejsiu: Edhe more 1 milionë klikime ti. Merr një milionë klikime për një gjë kështu Melisa. Më falni, por kemi 25 vjet që punojmë e s’i marrim 1 milionë klikime.
Ilir Shaqiri pjesë e “L’isola dei famosi”?
Alketa Vejsiu ka kujtuar mbrëmjen e kësaj të hëne gjatë spektaklit “Dance Albania” të gjithë personazhet të cilët pas eksperiencës së tyre në spektakle të drejtuar nga ajo në Tv Klan kanë pasur shumë suksese në karrierën e tyre dhe janë bërë tani emra shumë të rëndësishëm në media. Ajo ka shtuar se mbase Tv Klan është një ogur i mirë për të nxjerrë talente dhe i thotë Cindy-t se shpreson se Tv Klan do i bëjë vend, pasi ajo do të ishte prezantuese shumë e mirë.
E ngacmuar nga Ermali që me batutë i thotë se i hapi vetes punë pasi të gjithë do i sjellin fëmijët te ajo “për t’i kënduar”, Alketa shton duke vazhduar “parashikimet” se ka ndjesinë që Ermal Mamaqi do bëjë namin në Panairin e Librit, ndërsa Ilir Shaqiri do fitojë “L’isola dei famosi” në Itali.
Alketa Vejsiu: Dua të them ty Cindy sot se ti je një portret shumë i mirë për të qenë një nga prezantueset e ardhshme në Shqipëri, sepse je simboli i vajzës së thjeshtë dhe e di që ke lënë Amerikën për këtë vend dhe uroj shumë që televizioni Klan të të bëjë vend.
Ermal Mamaqi: Alketa sapo i hape vetes punë, sa të dalësh do jenë të gjithë me fëmijët për t’i kënduar ti.
Alketa Vejsiu: E di për shembull që në Panairin e Librit do kesh radha shumë të gjata. Dua t’ju them edhe që kam ndjesinë që Ilir Shaqiri do fitojë…Ilir Shaqiri po flas për ty, mendjen në mësim!
Ilir Shaqiri: Më fal!
Alketa Vejsiu: Zysha po flet! Nuk e di pse kam ndjesinë se ti do fitosh “L’isola dei famosi” në Itali.
Dëmtohet Anita Haradinaj, jashtë kastit të “Dance Albania”
Anita Haradinaj, një nga konkurrentet më të dashura të “Dance Albania”, ka pësuar një dëmtim në gju. Alketa Vejsiu zbuloi se gjatë performancës së saj puntatën e sotme, i është dashur që të bëjë një gjilpërë në gju. Por Anita tha se për shkak të këtij dëmtimi nuk mundet të kërcejë më dhe i duhet që të bëjë pushim.
“Mirë jam, mirë, thjesht nuk mund të kërcej më. E di që do ju mungojë paraqitja ime skenike jo aq sa vallëzimi im. Do bëj pushim dhe besoj sa t’i kalojë kjo, do rikthehem pastaj, ose nuk do rikthehem, nuk e di, varet nga gjithë gjendja. Gjërat e bukura zgjasin pak, prandaj ngelen të bukura. Unë e kam shijuar pa fund këtë spektakël. Do kisha vazhduar ta shijoj. Ju falenderoj të gjithëve. Falenderoj Verën, të falenderoj ty, falenderoj jurinë. Kemi kaluar momente shumë të bukura, do të më mungoni. Unë e kam pranuar këtë eksperiencë sepse ka qenë diçka ndryshe nga 23 vjetët e karrierës time në televizion, nga një profil totalisht ndryshe. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe shumë e bukur. Më vjen mirë që kam qenë pjesë e saj. Doja t’u thoja të gjithëve njerëzve, kur ju jepet mundësia që të provojnë diçka ndryshe nga ajo që kanë bërë të mos kenë frikë dhe ta sfidojnë veten sepse nuk i dihet, nuk do të thotë që të dalësh gjithmonë i pari, sa do të thotë që në jetë të përmbushesh me sfidat dhe eksperiencën e bukur”, tha Anita.
Anëtari i jurisë, Ilir Shaqiri, shprehu keqardhjen për këtë dëmtim në këtë moment për Anitën.
“Sot përcolle hijeshi, delikatesë, pate një padjeshkë të realizuar në mënyrë elegante. Është e habitshme që sot që je në atë shkallën tënde të kërcimit, “justifikohesh” me këtë të gjurit. Me gjurin dhe me kaviljen nuk bëhet shaka se për ne balerinët janë primare, sepse hamë bukë falë atyre. Realisht më vjen keq”, u shpreh Shaqiri.
“Po të tregoja kamasutrën, ai do pendohej”, Ermali-Melisës: Ç’mendon, poshtë apo lart?
Përfundimi i kërcimit të Melisës nën ritmet e “Thirre policinë” nuk solli këta të fundit në “Dance Albania” në Tv Klan, por një “furi” komentesh nga Mamaqi. Gjatë klipit të saj të javës, Melisa tha se “Po të tregoja kamasutrën ai do pendohej për pikët që dha”, një koment që nuk u kalua lehtas nga anëtari i jurisë.
Ermal Mamaqi: Ishte goxha mirë Melisa sot.
Alketa Vejsiu: Duhet thirrur zjarrfikësi në fakt, jo policia.
Ermal Mamaqi: Po, se nxorëm nja dy që morën flakë këtu. Mua më pëlqeu shumë, ishte energjike. Nuk më pëlqeu ajo pjesa e komentit për kamasutrën sepse më tha që po t’i tregoj kamasutrën, ça vote do më jepte. Ça mendon ti, do të të jepja poshtë apo lart? Pikët?
Melisa Lleshi: Mendoj se ndoshta ai komenti, unë nuk jam kundra pikëve sepse unë nuk jam në vendin tuaj, unë e kam te komentet sepse më erdhi pak çudi si koment. Faleminderit!
Ermal Mamaqi: Javën tjetër nuk do të japim koment fare.
Alketa Vejsiu: Dëgjo, më kritikoi dikush në Instagram dhe më tha si t’ia shpjegoj fëmijës tim çfarë është kërcimi me emrin që i vendose ti dhe Ermali. Ç’ti thoja?
Ermal Mamaqi: Thuaji të mos shohë këto programe të ndyra.
Ilir Shaqiri: Janë padjeshka njerëzore.
“Isha me gjilpëra”, Melisa komenton performancën e shkuar: Nuk e prisja injorimin e Ilirit, ndihem sikur…
Në klipin e saj përmbledhës të javës në “Dance Albania” në Tv Klan, Melisa Lleshi shpjegon se në natën e shtatë të spektaklit ishte e sëmurë dhe ka qenë me injeksione.
Melisa Lleshi: Isha me gjilpëra gjatë gjithë javës, papritmas para performancës më zuri një dhimbje nga ana e majtë. Nuk e dija fiks ishte muskulare apo ishte ana e zemrës. Nuk doja t’i jepja vëmendje në ato momente problemeve të mia shëndetësore. Nuk doja ta përdorja si justifikim. Me gjilpëra apo pa gjilpëra unë dola aty dhe dhashë më të mirën time.
Më tej, konkurrentja u ndal te komenti i Ermal Mamaqit, që i tha se pa “balet kamasutra”.
Melisa Lleshi: Po të tregoja kamasutrën ai do pendohej për pikët që dha. Unë pres të bëjmë kamasutrën e dytë me…çfarë t’i them unë.
Komenti i saj ndaj Ilir Shaqirit, të cilin e cilësoi “e ardhmja”, Lleshi e sqaroi se për çfarë e kishte fjalën.
Melisa Lleshi: Më erdhi një injorim nga ana e tij që nuk e prisja. Përderisa jam në “Dance”, e tashmja ime është Iliri që është ndër më të mirët koreografë. Është thjesht një vlerësim, asgjë më tepër.
Nën filtrin e saj nuk “shpëtoi” as Klaudia Pepa, e cila u shpreh se “nuk e njihte”. Fjalët e jurisë janë perceptuar nga Melisa sikur “duan ta ulin”, por nuk e kanë shuar këmbënguljen e saj për të garuar.
Melisa Lleshi: Nga ana e jurisë po ndihem pak sikur duan të më ulin. Klaudia u shpreh që nuk më njihte. Mund ta kursente atë koment. Unë e dua kërcimin dhe do qëndroj shumë gjatë aty, do qëndroj me dhunë aty brenda.
Ermal Mamaqi mesazh për kritikët e librit të tij: Lexojeni, pastaj dilni për komente
Ermal Mamaqi ka botuar së fundmi librin “Në garë me veten”, por mesa duket ky libër është pritur me habi nga disa. Ndoshta edhe duke e lidhur me një video të publikuar nga Ermali para disa kohësh në të cilën ai shprehej se të rinjtë nuk duhet të lexojnë romane.
Megjithatë më vonë ai është shprehur se ai vetë ka lexuar shumë libra biznesi mbase mbi 200 dhe se ka 12 vite që trajnohet për të arritur aty ku ai është tani. I pyetur nga Alketa Vejsiu gjatë natës së sotme në “Dance Albania” në Tv Klan për librin e tij ai jep një mesazh për të gjithë kritikët.
Ermal Mamaqi sjell në vëmendjen e atyre që janë habitur se pse botoi libër, se shumica e shqiptarëve janë rritur me librat e Adelina Mamaqit, ndaj mund të thuhet se “e heq fisi”.
Alketa Vejsiu: Kam një pyetje se ke librin në dorë. Ke bërë një herë një status që kam përshtypjen që është keqkuptuar, në lidhje me leximin e romaneve. Unë kam asistuar në një trajnim tëndin dhe të kam pyetur njëherë dhe më ke thënë se sa libra leximi ke lexuar ti dhe unë dua ta nënvizojmë këtë se është shumë e bukur. Sa libra biznesi ke lexuar ti?
Ermal Mamaqi: Unë kam 12 vite që studioj dhe trajnohem për të arritur këtu ku jam , por nuk e kuptoj pse qenka kaq herezi e madhe që unë të shkruaj një libër sepse besoj se shumica e shqiptarëve, të paktën të brezit tonë janë rritur me librat e një shkrimtareje që quhet Adelina Mamaqi dhe meqë ne na heq dhe fisi i shkrimtarëve nuk duhet të ishte kaq tronditëse për disa njerëz që u ka vdekur qeni dhe tani lehin në Facebook mbrapa gardhit, uroj që të qetësohen dhe të lexojnë librin pastaj të dalin për komente.
Arbnorës i griset kostumi gjatë kërcimit: Në spektakël u desh…
Gjatë provave për puntatën e javës së kaluar në “Dance Albania”, Arbnora është përballur me një të papritur. Asaj i është grisur kostumi.
Siç shpjegoi gjatë insertit hyrës këtë të hënë, ajo u shpreh kjo ndikoi edhe në performancë, për shkak se kishte frikë se mos i ndodhte si në prova. Por edhe nëse do t’i grisej sërish kostumi, Arbnora tha se nuk do ta ndalte performancën.
“Duke qenë se ka qenë një kostum shumë i ngushtë edhe një lëkurë, bëri që pantallonat e mia qysh në prova atë herën e parë kur e kisha atë uljen, m’u grisën. U desh të zgjasja këmbët dhe kur e bëra në spektakël e bëra me këmbë jo shumë të zgjatur se e kisha mendjen mos po më grisen tani. Do të vazhdoja, edhe po të dilja me pantallona të grisura nuk do të kisha plan për ta ndalur”, u shpreh Arbnora.
Ilir Shaqiri debat me Visjan Ukcenajn: Nëse unë jam klon në të folur, ti je klon në të kërcyer
Përpara performancës këtë të hënë në “Dance Albania”, aktori Visjan Ukcenaj ka pasur një debat me anëtarin e jurisë, Ilir Shaqiri. Ukcenaj tha se Shaqiri ka dy javë që thotë të njëjtat gjëra ndaj tij. Ndërkohë, balerini i njohur u përgjigj se shprehet në bazë të kërcimit që bën aktori.
Visjan Ukcenaj: Arsyeja pse Iliri dyshon që njerëzit s’jemi live, është se Iliri ka dy javë që thotë të njëjtën gjë dhe njerëzit kanë filluar të mendojnë që mbase e kanë regjistruar ose është një klon i Ilirit sepse Iliri vazhdon me klonin në Itali, ka sjellë klonin këtu, flet kloni, jep dhe pikët. I thotë kloni, o vëlla sa t’i japim Visjanit? Gjashtë, gjashtë, herës tjetër. Ec vëlla.
Ilir Shaqiri: Kam shumë qejf kur Visjani merret me fjalë. Ti ndoshta e harron që këtu je në një program kërcimi dhe ajo që ka rëndësi është që të flasësh me këmbë dhe do ta them gjithmonë derisa ti të arrish të kuptosh komunikimin me pjesën e poshtme të trupit dhe jo me pjesën e lartme. Në qoftë se unë ta përsëris…
Visjan Ukcenaj: Profesor, profesor. Unë kam ardhur këtu për t’u kënaqur.
Ilir Shaqiri: Ore t’i kënaqu sa të duash, por në qoftë se unë jam klon në të folur, ti je klon në të kërcyer. Kështu që është relative.
Visjan Ukcenaj: Pranoj të jem klon në të kërcyer nëse ti je klon real.
Ilir Shaqiri: Unë do them gjithmonë atë që shikoj dhe në qoftë se percepton këtë lloj të folure, është se ti kërcen në atë lloj mënyre. Sepse ke dy javë që kërcen një gjë në të njëjtën mënyrë. E folura ime është si rrjedhojë e kërcimit tënd.
Visjan Ukcenaj: Ilir e di që e ke përvetësuar shumë t’i zësh fjalën të tjerëve se je bërë mjeshtër…
Ilir Shaqiri: Zë fjalën kur bëhet fjalë për fjalën time…
Visjan Ukcenaj: Po pra, por kam dhe unë fjalën time gjigand. Kështu që ta respektojmë dhe timen. Nëse unë kam ardhur për të kërcyer dhe të faleminderit që më vlerëson, dhe të respektoj kur më vlerëson, por kur thua dy javë rresht një gjë që pa lidhje me kërcimin që kam bërë…
Ilir Shaqiri: Bëji pyetjes veten. Gjeje gabimin tek vetja. E kuptoi dhe Ermali që nuk kërcen, le më ti që kërcen. Visjan imagjino të të them për herë të tretë të njëjtën gjë, sa dramatike do ishte.
Mamaqi pyet balerinin: Ke një “kak” në dorë!
Performanca e Orgesa Zaimit në “Dance Albania” në Tv Klan nuk mundi të “pushtonte” vëmendjen e Ermal Mamaqit. Komediani i njohur, thotë në momentin e dhënies së vlerësimit të tij se ishte i përqendruar te dora e balerinit të Orgesës, Frankos. Syrit të komedianit nuk i “shpëtoi” një tatuazh në dorën e balerinit, por që e lexoi tërësisht gabim. Franko sqaron se familjarët dhe njerëzit e afërt e quajnë “Kako”, një pseudonim për të, të cilin e ka kthyer në një kujtim të përhershëm në nyjet e dorës.
Ermal Mamaqi: Isha komplet i shpërqendruar për këtë kërcim sepse u fokusova te diçka që pashë te video. Franko ka një “kak” në dorë.
Alketa Vejsiu: Çfarë ka?
Ermal Mamaqi: Ka një “kak” në dorë.
Alketa Vejsiu: Ç’ishte kjo?
Ermal Mamaqi: Nuk e di në qoftë se… ke një “kak”. A mund ta fokusojë regjia se mos mendojë që po çmendem unë?
Alketa Vejsiu: O Ermal!
Ermal Mamaqi: Ke një “kak” në dorë!
Alketa Vejsiu: Çfarë është, emri i ndonjë qeni me siguri.
Franko: Jo, ky është një nickname i imi që më thërrasin në fis dhe njerëzit e afërt.
Ermal Mamaqi: Duhet të ndërrosh nickname-n ose sqarojë si është se ngjan…
Orgesa Zaimi: Ka një “o” në fund.
Alketa Vejsiu: Kako./tvklan.al