8 artistë të tjerë të rinj performuan në këtë gjysmëfinale të dytë të festivalit “Kënga Magjike”, në ekranin e Televizionit Klan. Juria e përbërë prej Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti, i dhanë dritën jeshile 7 artistëve të rinj. Kështu, statusin Big e morën Josil, Eldis Arrnjeti, Gzim Hajdari, Stiv, Genti Disha, Gent dhe Kleoniki.

Josil ishte artistja e parë e re e cila çeli natën e dytë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike”. Kënga e saj me titull “Zemra e din”, mori 3 vota të jurisë, duke iu bashkuar artistëve Big. Dy anëtarët e jurisë që votuan kundër, vlerësuan që Josil bërtiti gjatë interpretimit të saj. Megjithatë shumica fiton dhe Josil tanimë do të ketë mundësi të votohet e të votojë.

Eldis Arrnjeti me “Akoma jo” përcolli shumë emocion në skenën e Kënga Magjike. Përveç duartrokitjeve, 17-vjeçari rrëmbeu edhe shumicën e votave të jurisë. Megjithatë Kozeta Kurti nuk qe dakord dhe votoi kundër. “Kam patur pritshmëri të jashtëzakonshme për mënyrën e të kënduarit për Eldis… Jam shumë e sigurt që kam bërë mirë që e shtypa, do të të bëjë mirë më vonë”, tha ajo.

Gzim Hajdari me “A thu kom harru”, ndezi 3 drita jeshile. Mes anëtarëve të jurisë dhe atyre që votuan kundër pati edhe replika.

Stiv me “Lakmi” i mori të pesta votat e jurisë. Madje për dilemën që pati Jonida Maliqi, artistët e tjerë në llozhë u ngritën në këmbë, duke brohoritur “jeshile”.

Genti Disha performoi këngën “Ma ke bo” dhe arriti po ashtu t’i bashkohej artistëve Big. Juria pati vlerësime dhe kritika. “Interpretuesi më erotik që ka ardhur deri më tani”, tha Enkel Demi, që i dha dritën jeshile. Arben Skënderi votoi kundër dhe e shpjegoi përse: “Ruaju nga ata që të bëjnë qejfin. Pashë njëlloj vetëkënaqësie, që të largoi nga interpretimi… Të këshilloj që të rrish i përqendruar se çfarë ke ardhur të bësh…”

Me 4 vota pro dhe 1 kundër, Gent me këngën “Ai ajo” po ashtu u bë pjesë e kategorisë Big. Ai mori vlerësime maksimale nga juria për emocionet që përcolli.

Gerald Celibashi me “Peng” ishte i vetmi që nuk mundi të bëhej pjesë e kategorisë Big. I pyetur nëse do donte të vinte vitin tjetër për të sfiduar jurinë, Geraldi tha: “Po patjetër”. Juria vlerësoi se performanca e tij nuk ishte në nivelin e duhur dhe pati probleme me intonacionin.

E fundit në radhët e artistëve të rinj që u ngjitën në skenën e Kënga Magjike natën e dytë gjysmëfinale ishte Kleoniki me këngën “Femër fire”. Performanca e saj, por mbi të gjitha mesazhi i këngës, ishin ato që i dhanë Nikit dritën jeshile! “Mos kishe pasur një këngë kaq kuptimplotë, një mesazh për ditët kur jetojmë ne, mos kishe pasur një mesazh kaq të fortë për të tejçuar, unë nuk do ta kisha bërë këtë që bëra tani”, tha anëtari i jurisë Arben Skënderi,  që i dha asaj votën pro, ashtu si shumica e anëtarëve të tjerë./tvklan.al