Manastirliu apel qytetarëve: Tregoni kujdes nga Covid

Ekipet shëndetësore janë në gatishmëri për natën e ndërrimit të viteve. Nga Spitali i Traumës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se për 6 ditë të gjithë ekipet shëndetësore do të jenë në detyrë për çdo të papritur.

“Gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse në të gjitha ditët e vitit, sidomos në këtë vit pandemie. Të gjithë jemi të angazhuar maksimalisht, strukturat e Urgjencës Kombëtare nëpërmjet 127 janë në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse edhe njësia e helikopterëve. Por nga ana tjetër të gjitha spitalet janë të pajisura me të gjitha barnat dhe materialet mjekësore për të përballuar çdo emergjencë gjatë këtyre ditëve të festave”.

Duke u ndalur tek situata e pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë ka bërë apel për kujdes nga qytetarët.

“Të jemi të kujdesshëm për arsye të shmangies dhe të kufizimit të përhapjes së virusit, duke festuar me familjen e vogël, por duke garantuar që të jemi të gjithë të shëndetshëm nëpërmjet vaksinimit apo testit depistues në mënyrë që të shmangim qarkullimin e virusit. Nga ana tjetër të gjithë duhet të jemi të sigurtë edhe përsa i përket mjediseve që do të frekuentohen, bare apo restorante për të zbatuar protokollet të cilat janë protokolle sigurie përsa i përket kapacitetit të bareve apo restoranteve, ajrosjes, ruajtjes së distancës”.

Urdhri i gatishmërisë së përforcuar për spitalet gjatë ditëve të festave, i firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përcakton forcimin e ekipeve në dispozicion për urgjencën 24/7, nga data 31 Dhjetor deri më 5 Janar.

Tv Klan