Në zbatim të planit të masave të hartuar me rastin e festave të fundvitit, ku prej datës 20 Dhjetor, Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar, ditën e sotme kjo e fundit ka njoftuar se janë marrë masa shtesë për natën e ndërrimit të viteve, por edhe për ditët e para të vitit të ri, me qëllim garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
Kështu, nga dita e sotme deri më 4 Janar do të ketë shtim të prezencës policore në të gjithë territorin e vendit.
Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe është stacionuar nga një grup i FNSH -së. Gjithashtu, të gjitha akset kryesore rrugore do të patrullohen nga grupet e FNSH-së.
Policia Rrugore do të jenë prezente në të gjithë vendit me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në të gjitha Pikat e Kalimit të Kontrollit Kufitar janë marrë masat për shtim të sporteleve dhe të burimeve njerëzore. Në kufirin e gjelbër do të ketë patrullim të përbashkët mes Policisë Kufitare dhe Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe.
Për monitorimin e situatës në gadishmëri janë edhe efektivët e Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm.
Këto forca investiguese dhe operacionale do të jenë të dislokuara në të gjithë territorin e vendit, duke kryer investigime policore dhe hetime proceduriale me përdorim të metodave speciale të hetimit.
Gjithashtu për çdo situatë të papritur, në gadishmëri janë edhe Forcat Speciale Renea dhe Forcat e Posaçme Operacionale.
Për realizmin e këtyre detyrave gjatë 72 orëve do të angazhohen në patrullim të territorit, gjithsej 4500 punonjës policie dhe konkretisht:
2460Patrulla të Përgjithshme.
780 punonjës të policisë rrugore.
21 grupe të FNSH-së, gjithësej 200 punonjës policie.
54 forca të Repartit Special RENEA
40 forca të Forcës së Posaçme Operacionale
50 forca të Drejtorisë së Antiterrorit dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm.
760 punonjës të Policisë Kufitare.
155 agjentë e specialistë të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Sektorit kundër Krimeve të Rënda.
Policia bëb me dije se rreth një orë para momentit të ndërrimit të viteve në sheshet kryesore të qyteteve të vendit do të ketë prezencë të shtuar policore nën drejtimin e drejtuesve kryesorë të njësive policore (drejtorë të drejtorive vendore / shefa komisariatesh /shefa stacionesh policie, të cilët do të monitorojnë festimet deri në shpërndarjen e banorëve që festojnë.
Të gjitha këto shërbime menaxhohen dhe drejtohen nga grupe të drejtimit që janë ngritur dhe funksionojnë që prej datës 27.12.2016 – 04.01.2017 si në D.P.Shtetit, në çdo D.V.P dhe Komisariat policie gjatë gjithë 24 orëshit.
Specialistët në Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë shpërndarë në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe për të monitoruar zbatimin e detyrave të mësipërme.
Policia e Shtetit porosit edhe njëherë të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të përdorin fishekzjarret pa praninë e tyre.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve, gjatë ditëve të festimit, të mos përdorin alkool në rast se do të qarkullojnë me automjetet e tyre, në të kundërt të përdorin automjetet e transportit publik.
Të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin aparatin celular dhe të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe drejtuesit e motoçikletave të vendosin kaskën mbrojtëse.
Me qëllim që nata e ndërrimit të viteve të kalojë pa probleme, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve si dhe ndihmën e tyre për të denoncuar në kohë çdo paligjshmëri që mund të konstatojnë.
Në fund, Policia e Shtetit uron të gjithë qytetarët Gëzuar Vitin e Ri 2017, mbarësi e begati në familjet tuaja./tvklan.al