Një fitore e dytë? Ermal Meta kryeson në listat paraprake

Sanremo mbajti të premten natën e tretë të festivalit të këngës. 26 artistët konkurues interpretuan një cover të një kënge të zgjedhur prej tyre, jo domosdoshmërisht e lidhur me historinë e festivalit italian.

Pothuajse të gjithë konkurentët shoqëroheshin nga një interpretues i ftuar.

Midis artistëve ishin shumë ish-konkurentë të Sanremos, si: Michele Bravi, Pinguini Tattici Nucleari, Nesli, The Colors, Manuel Agnelli, Neffa, Daniele Silvestri, Neri per Caso dhe Donatella Rettore. Nata e ‘Covers’ është bërë një karakteristikë e Sanremos ndër vite, por këtë vit është vendimtare për fatin e këngëtarëve.

Ashtu si vitin e kaluar, këto performanca speciale të votuara vetëm nga anëtarët e orkestrës do të kontribuojnë në renditjen përfundimtare.

Ndërkohë sipas renditjes së votave të orkestrës këngëtari Ermal Meta i cili ka performuar në skenën gjigande të Sanremos me këngën “Un millione di cose da dirti” renditet i pari ashtu edhe në renditjen provizore të top dhjetëshes, bazuar ne tre netët e festivalit. Por si do të zgjidhet fituesi i Sanremos?

Votimi gjatë 5 mbrëmjeve do të ndodhë përmes kombinimeve të ndryshme të katër metodave si: televotimi publik, votimi i jurisë së shtypit, një sondazhi demoskopik dhe votimi i orkestrës, publikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë edhe 2 netë të tjera për të mësuar se kush do ta rrëmbejë çmimin e parë në festivalin e Sanremos.

Klan News