Udhëheqësit e NATO-s do të kërkojnë nga presidenti amerikan Joe Biden që pas 4 vjetësh denigrimi nga paraardhësi i tij Donald Trump, aleanca të mund t’a ketë sërish mbështetjen e anëtarit të saj më të fuqishëm.

Në një mbledhje ndryshe për shkak të kufizimeve të COVID-19, 30 aleatët do të mblidhen në selinë e tyre për të rënë dakord për reformat që duhet të merren për një botë multipolare, pas Luftës së Ftohtë ku ngritja ushtarake e Kinës paraqet një sfidë të re.

Jamie Shea, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s, pjesëmarrës në një samit të vitit 2018 në të cilin Trump konsideroi të linte aleancën është shprehur se Biden tanimë mund të hapë faqen për një epokë të re dhe jo që t’i kthejë shpinën aleancës.

Trump në samitin e mbajtur dy vjet më parë tërhoqi vëmendjen e madhe të mediave ndërkombëtare teksa i quajti aleatët delikuentë që nuk kishin shpenzuar sa duhet për mbrojtje. Biden tashmë ka anuluar një vendim të Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Gjermania. Ndërsa presidenti amerikan pritet të japë mesazhin tradicional amerikan se aleatët evropianë duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre, NATO po kërkon të shkojë përtej politikës së jashtme të Trump  “Amerika e Para”.

Ekspertët janë shprehur se ky samit me Biden duhet të jetë një sinjal për botën që NATO nuk është më si më parë. Rusia, ndryshimi i klimës, Afganistani dhe teknologjitë e reja janë në axhendën e samitit një ditor, i cili do të kulmojë në një seancë të veçantë udhëheqësish në dhomën e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Stoltenberg do të përcaktojë nëntë zona ku NATO mund të modernizohet për një periudhë afatmesme, duke përfshirë financime më të përbashkëta aleate të operacioneve ushtarake. 

Klan News