Stoltenberg: Po shqyrtojmë propozimin e Shqipërisë

NATO po vlerëson me seriozitet propozimin e qeverisë shqiptare për bashkëfinancimin e një baze ushtarake detare në portin e ri tregtar të Porto Romanos. Shefi i Aleancës Jens Stoltenberg në një intervistë për mediat malazeze pohon se ekspertët e organizatës veriatlanike po e shohin ofertën e Shqipërisë e më pas të japin këshilla në varësi të situatës ushtarake.

“Mirëpresim ofertat e aleatëve për vendosjen e objekteve të NATO-s. Ekspertët tanë duhet të shikojnë të gjitha ofertat e tilla dhe më pas të japin këshilla në varësi të kushteve ushtarake. Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, i cili u miratua në Samitin e Madridit, konfirmoi edhe një herë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për aleancën tonë. NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, duke përfshirë përpjekjet e përditshme të KFOR-it, selisë sonë në Sarajevë dhe zyrës në Beograd. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë”.

I pyetur sekretari Stoltenberg komenton dhe tensionet e rindezura javën e shkuar në kufirin Kosovë-Serbi dhe zbulon se ka patur kontakte me lidershipin e të dy shteteve të cilëve ju ka kërkuar maturi. Gjithsesi ai e bën shumë të qartë pozicionin e Aleancës në rast se kërcënohet stabiliteti i Kosovës, se nuk do të mungoje ndërhyrja ushtarake e KFOR-it.

“Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti i Kosovës”. 

Vëmendja e Aleancës nuk ka munguar për rritjen e kapaciteteve ushtarake për Shqipërinë. Vetëm për bazën ajrore të Kuccoves NATO po investon 50 milionë Euro për ta rivënë në punë si bazën e saj të parë ajrore në rajonin tonë.

Tv Klan