Kërcënimi nga Rusia detyron NATO-n të nisë ndërtimin e dy komandave të reja. Komandat do të ndërtohen në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara. Vullnetin për ngritjen e njërës nga komandat në Gjermani e shprehu edhe ministrja e mbrojtjes së këtij vendi Urzula fon der Lajen, gjatë një takimi të ministrave të NATO-s në Bruksel.

Kjo komandë është e rëndësishme, veçanërisht pas rritjes së kërcënimeve të ushtrisë ruse në kufijtë lindorë të Europës. Mediat gjermane thonë se Këlni dhe Boni janë dy prej alternativave për pozicionimin e kësaj komande, e cila do të lehtësojë vendimmarrjen ushtarake të aleancës për çdo të papritur.

Ndërsa komanda e Shteteve të Bashkuara do të ketë përgjegjësinë për zonën e Atlantikut. Që prej krizës së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, NATO e ka shtuar praninë e trupave në Europën Lindore. Tani ajo përshtat edhe strukturën e komandës së saj, për të përshpejtuar zhvendosjen e trupave nga SHBA në Europë.

Tv Klan