Spanja, Holanda dhe Gjermania po shqyrtojnë dërgimin e trupave në vendet aleate të Europës Lindore

Vendet anëtare të NATO-s po dërgojnë me mijëra trupa, avionë luftarakë dhe anije tek aleatët e tyre në Europën Lindore, mes tensioneve në rritje me Rusinë për shkak të dislokimit të më shumë se 100,000 trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Perëndimi i frikësohet një pushtimi të afërt rus, të cilin Kremlini e mohon. Katër avionë luftarakë danezë F-16 zbarkuan në Lituani javën e kaluar për të forcuar misionin e policisë ajrore të NATO-s në Baltik. Që nga aneksimi me forcë i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO ka dislokuar ndërmjet 4,000 dhe 5,000 trupa në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gatishmëri 8500 trupa. Me dhjetëra mijëra trupa ushtarake janë vendosur në Europë, kryesisht në Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Franca ka njoftuar planet për të dislokuar qindra trupa në Rumani. Spanja, Holanda dhe Gjermania po shqyrtojnë gjithashtu dërgimin e trupave, avionëve dhe anijeve luftarake në vendet aleate të Europës Lindore. 

Më herët NATO ka bërë të ditur se nuk ka plane për të dislokuar trupa ushtarake në Ukrainë.

Klan News