Në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte komentoi për herë të parë memorandumin në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë që ka shkaktuar zemërimin e Beogradit.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor përbën një shqetësim për ne. Ne kemi parë së fundmi disa marrëveshje dy apo trepalëshe si ajo mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë po ashtu ajo mes Hungarisë dhe Serbisë. NATO nuk është pjesë e këtyre marrëveshjeve. Është e drejta e secilit shtet anëtar që të bëjë marrëveshje të tilla”, është shprehur Mark Rutte.

Shefi i Aleancës Veri-Atlantike tha se Serbia duhet të angazhohet në llogaridhënie për sulmet në Banjskë pasi stabiliteti i Kosovës ka rëndësi madhore.

“Situatën e sigurisë në Kosovë e kemi shumë afër zemrës tonë. Ne duhet që të sigurohemi që situata aty të mbetet e qëndrueshme. Kur bëhet fjalë për Banjskën dhe sulmin ndaj forcave të NATO-s, ngjarje që ndodhën në vitin 2023, serbët duhet të punojnë që të ketë llogaridhënie. Kjo është ajo që kam diskutuar me Presidentin Vuçiç”, tha më tej Rutte.

Njeriu i parë i NATO-s shpreson se lufta në Ukrainë nuk do të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor.

Për herë të parë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të aleancës do marrë pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.

Klan News