Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, është deklaruar se do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi. Ky proces, siç tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan i saj, çon në një zgjidhje të mirë për raportet mes Prishtinës e Beogradit.

Po ashtu, sipas admiralit Robert P. Burke, që është edhe komandant i ri i Shtabit Qendror të Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, një Kosovë stabile është thelbësore për stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe jo vetëm.

“Aleanca vazhdon, po ashtu, ta mbështesë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e vetme për një zgjidhje afatgjatë të çështjes”, ka thënë ai, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova.

“Një Kosovë stabile është thelbësore për stabilitetin në rajon dhe për sigurinë tonë”.

Burke, që mori detyrën e komandantit të Shtabit Qendror të Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, më 17 korrik 2020, ka qëndruar të martën, për herë të parë në Prishtinë, por edhe në Sarajevë e Beograd.

Ai ka bërë të ditur se erdhi këndepari për ta prezantuar veten dhe ekipin e tij, por edhe për të takuar komandantë e zyrtarë të NATO-s dhe për të eksploruar mundësitë e avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit. /klankosova