Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord të fillojnë përfundimin e misionit të tyre në Afganistan. Aleanca prej 30 anëtarësh ra dakord për masën në një takim dje në mbrëmje të ministrave të saj të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Vendimi vjen një ditë pasi zyrtarët amerikanë njoftuan se presidenti Joe Biden dëshiron të tërheqë trupat amerikane nga Afganistani deri më 11 shtator, në 20-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit që shkaktoi pushtimin amerikan.  

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi morën pjesë në këtë takim. Ministrja Xhaçka vlerësoi vendimin e administratës aktuale të SHBA, për të mos u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Afganistani, por duke e bërë këtë në konsultim të plotë me vendet e NATO-s. 

“Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e propozuar nga miqtë amerikanë dhe është e gatshme të tërheqë të gjithë trupat e saj nga Afganistani, në përputhje me afatin kohor të vendosur nga NATO. Në këtë botë të mbushur plot kërcënime, ne nuk mund të përballemi dot vetëm dhe besoj se nga ky moment, Aleanca, do të dalë më e fortë dhe më e bashkuar, me më shumë synime, energji dhe ide, për të garantuar sigurinë tonë kolektive”, u shpreh ajo.

Për vendimin ka reaguar edhe Ambasadorja amerikane Yuri Kim ku ka falenderuar Shqipërinë dhe ka theksuar se do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse për sakrificat që ka bërë si aleat i NATOS.

“Ne shkuam në Afganistan së bashku, qëndruam dhe luftuam së bashku, dhe tani po përgatitemi të largohemi së bashku. Flamuri i Shteteve të Bashkuara do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Flamurit të Shqipërisë për sakrificat që keni bërë si Aleati ynë i NATO-s”, shkruan Kim.

Aktualisht në Afganistan ka rreth 10 000 ushtarë të NATO-s dhe vendeve partnere, që mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, duke trajnuar dhe këshilluar forcat e sigurisë në luftën e tyre kundër ekstremistëve islamikë.

Klan News