Nuk kanë fund telashet për Aleksey Navalny. Kritiku i Kremlinit do të përballet sërish me gjykatën në Moskë, këtë herë për shpifje, por këto akuza ai i quan si të motivuara politikisht.

Një javë më parë Navalny u dënua me tre vite burg për shkelje të lirimit me kusht. Por këtë herë akuzohet se ka shpifur kundër një veterani të Luftës së Dytë Botërore dhe duket se për të telashet nuk do të kenë fund.

Tashmë çështja është në duart e gjykatës dhe Navalny mund të dënohet sërish dhe nëse akuzat provohen ai mund të dënohet me deri në dy vjet burg.

Lidhur me dënimin e Navalnyt ka reaguar ashpër dhe BE e SHBA, të cilat kanë paralajmëruar Rusinë se mund të vendosin sanksione ekonomike kundër saj.

Por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më herët se Moska është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian nëse blloku e godet atë me sanksione ekonomike.

Arrestimi dhe burgosja e Navalny ka shkaktuar protesta në Rusi. Aleatët e tij planifikojnë të zhvillojnë një protestë tjetër në fundjave dhe kanë kërkuar mbështetje nga të gjithë qytetarët./tvklan.al