Kampionët humbasin për herë të 4 radhazi, ngjitet Sacramento

 Ndryshon situata në konferencën e Perëndimit në NBA. Kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers tashmë janë në krizë. Kalifornianët pësuan humbjen e 4-t radhazi, pasi u mposhtën 109-101 nga kryesuesja e Konferencës së Lindjes, Philadelphia. Për skuadrën nga Pensylvania kjo ishte fitorja e katërt radhazi, e 32 në total për këtë sezon.

Green me 28 pikë ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Philadelphian, ndërkohë për Lakers nuk u mjaftuan 25 pikët e Kuzma dhe 40 pikët e dyshes Harrell-Schroder. Munguan sërish Lebron James dhe Anthony Davis për kampionët. Një fitore me peshë mori skuadra tjetër kaliforniane Los Angeles Clippers, që triumfoi 98-85 në transfertën ndaj San Antonio Spurs.

Jackson me 28 pikë dhe George me 24 pikë 13 rebound dhe 4 asiste ishin dy basketbollistët që udhëhoqën Clippers drejt suksesit të radhës. Vijon kriza e Miami Heat, që pësoi humbjen e 5-të rresht, pasi u mposht nga Portland Trail Blazzers me rezultatin 125-122. McCollum me 35 pikë ishte fantastik për skuadrën nga Oregoni, ndërkohë që te Miami spikatën Adebayo dhe Herro me nga 29 pikë secili.

Moment pozitiv për Sacramento Kings që regjistroi suksesin e 5-të në 6 ndeshjet e fundit pasi triumfoi me diferencë të thellë ndaj Golden State Warriors, me rezultatin 141-119. Fox me 44 pikë në total ishte mbresëlënës për Kings, të cilët e shohin veten shumë pranë zonës play-off.

Klan News