Problemi me pronësinë e tokës vendos përballë njëri-tjetrit dy komshinjtë

Seanca e ndërmjetësimit sot në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan vendosi përballë njëri-tjetrit, dy komshinjtë nga qyteti i Burrelit.

Shkak janë bërë dy parcela tokë të shitura në vitet 2002 dhe 2004. Rexhepi i shet tokën Baftjarit jo në rrugë ligjore, por me shkrim dore.

Gjithçka ishte në rregull mes tyre deri në vitin 2017, kur doli ligji i ri për pronësinë e tokës dhe Baftjari kërkon që toka për të cilët pagoi, mos ishte më në emrin e Rexhepit, por të kalonte në emrin e tij.

Komshiu i tij nuk pranon sepse kërkon prej tij që t’i japë edhe më shumë lekë.

Baftjar: Unë në vitin 2002 blej një copë tokë dhe u fut ndërmjetës vjehrri im në atë kohë, se unë nuk e njihja këtë zotërinë, Rexhepin. Më thotë shet tokë filani, Rexhepi. Unë nuk e njihja personalisht, na afroi ai, shkuam pamë tokën. Mora dhe vëllanë tim të madh, ramë dakord.

Eni Çobani: Dhe ekzaktësisht duhet të jetë akti i shit-blerjes që kam unë këtu në 11/02/2002 në Batër.

Baftjar: Po! Ishim komplet të dy palët që do ta blinim. E matëm tokën, i dhamë lekët, ramë dakord dhe ishim të qetë, vinim shkonim të dy familjet. Në vitin 2004, kishte prapë një pjesë tokë tjetër. Ramë dakord dhe aty dhe blemë 6 dylym e 400m, ku i dhashë 4 milion lekë dhe ky zotëria heq dorë përfundimisht nga ajo parcela që kishte. Të dyja parcelat ka hequr dorë, nga kanali deri tek pjesa e vëllait të vet. Ramë dakord për dy parcelat dhe ky heq dorë përfundimisht nga dy parcelat.

Eni Çobani: E keni shitur këtë tokë?

Rexhep:  E kam shitur tokën!

Eni Çobani: Pavarësisht se nuk e keni bërë në rrugë ligjore, e keni bërë me shkrim dore.

Baftjar: Ashtu ishte situata në atë kohë!

Rexhep: I kam marrë ato lekë tek Baftjari, siç thotë ai! I kam treguar që ditën e parë, që unë tokën nuk e kam me letra.

Baftjar: Po kjo është e vërtetë, është tokë shtet.

Rexhep: I kam thënë që po të vijë një njeri nesër, pasnesër të të nxjerr nga toka, për çdo gjë të përgjigjem unë, kurse për shtet do përgjigjesh vetë.

Eni Çobani: Kur ka filluar problematika mes jush?

Baftjar: Problematika ka filluar në 2017, kur filloi ligji i ri, kush kalon pronat në shtet, kush i ka ato toka t’i rimarri. U ngrita shkova tek Rexhepi dhe i thashë ka dalë një ligj, vendim qeverie, këto toka t’i rimarr sepse po mos merreshin në emrin e tij, nuk i gëzoja dot pronën. Dakord thotë, por ke një kusht prej meje. Letrat thotë do t’i paguash ti tek banka, çfarë detyrimesh ke.

Rexhep: Duro, një minutë. Zonja Eni i kam thënë mua më bëhet qejfi që të bëhet me letra, të bëhesh në rregull. E keni aty pyeteni.

Baftjar: Po e vërtetë!

Rexhep: Unë nuk kam terezi, plus që jam i sëmurë dhe nuk kam terezi të shkoj pas letrave. Po të jesh i zoti, për çdo firmë do të vij unë.

Eni Çobani: Pra letrat tuaja i bëri Baftjari dhe ju jeni koshient për këtë?

Rexhep: Po!

Baftjar: Shkoj tek ky zotëria që toka ka dalë, të shkoj tek noterja ta marr unë pronën. Çfarë detyrimesh duheshin do t’i paguaja unë prapë. Jo thotë, tokën ta mbash, por tokën nuk ta jap, po nuk më dhe edhe më shumë lekë.

Rexhep: Prit Baftjar!

Baftjar: Se thotë ka qenë pa letra dhe tani që u bë me letra thotë unë dua lekë më shumë.

Rexhep: Të kam thënë do të bëj letrat!

Baftjar: Ka tre vjet o Rexhep, për të shkuar tek noterja.

Rexhep: Duro, duro të flas unë!

Baftjar: Çfarë të duroj unë, janë letrat e tua këto, faturat janë të miat.

Rexhep: Ndaç duro, ndaç jo. Të kam thënë, tokë më 500 mijë lekë dylym me letra nuk ka./tvklan.al