Veliaj: Forcojmë bashkëpunimin në rajon

Edicioni i parë i Tiranathlone u zhvillua për gati 3 orë në ambientet e “Parkut Helen” në Liqenin e Farkës. Një garë që përfshin 3 disiplina: not, çiklizëm dhe ecje sportive.

Në këtë aktivitet merrnin pjese garues nga Gjermania, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Austria dhe natyrisht edhe nga Shqipëria dhe Greqia. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se këto aktivitete forcojnë bashkëpunimin mes vendeve, duke iu referuar edhe historisë së dy refugjatëve nga Afganistani dhe Siria të cilët tashmë jetojnë në Shqipëri.

“Po ndalem te historia e dy të rinjve, emigrantë. Njëri vinte nga Afganistani, nga Kabuli, një vend në luftë, tjetri vinte nga Damasku, nga Siria, një tjetër vend në luftë. Të dy i kishin hipur gomoneve në ujërat greke. Gomonet ishin përmbysur dhe të dy ishin shpëtuar nga marina greke. Pas Greqisë kanë gjetur shtëpinë e tyre në Shqipëri, shpresoj një ditë do të bëhen shtetas shqiptarë, sepse kanë vendosur të jetojnë këtu. Jo vetëm i kemi lidhur fatet me fqinjët tanë, me komshinjtë tanë, me vendet rreth nesh, por edhe fatet e të tjerëve, fatet e atyre që vijnë nga Afganistani, nga Siria, ashtu siç ishim ne përpara 30 vitesh që hipnim nëpër gomone, anije, apo nëpër dyert e ambasadave. Ne jo vetëm kemi në dorë prej këtij bashkëpunimi fatet e rajonit tonë, por ne mund të përmirësojmë dhe fatin e atyre që nëpërmjet rajonit tonë kërkojnë të shpëtojnë jetën edhe familjet e tyre, si historia e Shuaipit dhe Abdullahut që shpëtuan nga marina greke dhe kanë bërë shtëpinë e tyre dhe të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri dhe në Tiranën tonë”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se, së bashku me homologun e Athinës po punohet për të hapur një qendër kulturore për shqiptarët që janë në Athinë, ndërkohë që dy ditë më parë në Tiranë u përurua “Parku Helen”.

Tv Klan