“

Unë erdha në Shqipëri para shumë viteve. Më dukej shume vend interesant, vendi i çudirave i them unë, sepse ka shumë çudira që nuk kuptohen në botë. Dhe unë desha ta bëjë këtë vend të njohur, ky është qëllimi i punës time, që Shqipëria të kuptohet dhe shqiptarët të mirëkuptohen në botë

”.

Njeriu që vite të jetës së tij, si albanolog, shkrimtar, përkthyes e studiues ia dedikoi Shqipërisë, nuk jeton më. Një sëmundje e rëndë i mori jetën Robert Elsie, në moshën 67 vjeçare në një spital në Gjermani.

I lindur në Kanada, ai do t’i përkushtohej gjuhës, letërsisë, traditës dhe kulturës shqiptare pas një vizite të Institutit Gjerman të Gjuhësisë në Akademinë e Shkencave në Tiranë e vitit 1978. Pasi mësoi gjuhën shqipe, albanologjia ishte fillimisht fusha të cilën lëvroi duke e bërë një nga njohësit më të mirë, autor të dhjetëra kërkimeve shkencore dhe librave historikë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Si përkthyes, dy projektet e tij më të mëdha janë, përkthimi nga gegërisht në gjermanisht i “Kanunit të Lek Dukagjinit dhe në anglisht i “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës. Përmes faqeve të njohura në internet, Robert Elsie, i jepte çdo ditë botës dokumente të historisë tonë, regjistrime zanore të 150 të folmeve të shqipes, koleksione fotografish dhe letërsisë së përkthyer.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro: 

“Është njeriu që në 25 vite ka bërë shumë më tepër se sa shumë institucione shqiptare. Ai është akademiku se ç’është akademiku i vërtetë”.

 Në një dedikim të sajin, shkrimtarja Flutura Açka, i kërkon kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, që të përmbush dëshirën e fundit të Robert Elsie, të prehet në Shqipërinë, që si asnjë i huaj tjetër e dashuroi shumë.

“Unë i kam shumë qejf shqiptarët.”

Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Robert Elsie

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të albanologut Robert Elsie.

Ikja e pakthim e këtij albanologu të shquar, përkthyes, hulumtues, studiues i palodhur i letërsisë dhe folklorit shqiptar dhe njëherazi mik i sinqertë e i çmuar i kombit tonë, është një humbje e madhe për letrat dhe kulturën shqipe.

I shpreh familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre.

Doktor Elsie na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, një numër të konsiderueshëm librash dhe shkrimesh dedikuar letërsisë, historisë, albanologjisë dhe kulturës kombëtare shqiptare. E gjithë bota akademike shqiptare, dhe të gjithë shqiptarët kudo gjenden, i mbetemi përjetë mirënjohës këtij njeriu që shkëlqeu përmes punës së palodhur, modestisë fisnike, dhe qe e deshi e nderoi kombin tonë përmes veprës e fjalës.

Tv Klan