Artan Lame është ndarë nga jeta këtë të enjte në moshën 58-vjeçare.
Sipas asaj që raporton Klan News, ish-kreu i Kadastrës ndërroi jetë në një spital në Mynih të Gjermanisë, ku ndodhej për kurim prej një jave, pas goditjes nga një ishemi cerebrale.
Një prej figurave më të njohura publike shqiptare, Artan Lame drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe mbajti poste të tjera shtetërore, duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste.
Artan Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist shqiptar. Studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore shqiptare. Gjithashtu, veprimtar politik i Partisë Socialiste dhe funksionar shtetëror.
I pari që shprehu keqardhjen për vdekjen e tij, ishte kryeministri Edi Rama.
“I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët“, shkruajti ai në një postim në rrjetet sociale.
Kush ishte Artan Lame si politikan
Nga viti 1999-2000 ai mbajti postin e Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Nga viti 2000-2002 ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Nga viti 2002-2005 ishte zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit.
Prej vitit deri në 2013-2019, Lame ishte Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).
Prej vitit 2019 deri në 2023-n, kur dha dhe dorëheqjen, ai mbajti detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës).

Një mik i emisionit Opinion, Artan Lame ishte shpesh në studion e gazetarit Blendi Fevziu për të folur jo vetëm për politikën, por edhe për historinë, si njohës shumë i mirë i fushës. Hera e fundit që ishte në këtë studio, ishte rreth një vit më parë, ku foli për historinë mbresëlënëse të rrethinave të Tiranës.
Vetë Blendi Fevziu në një reagim e cilësoi Artan Lamen, “një historian të apasionuar, një zyrtar model, një njeri plot energji dhe dëshirë për jetën”.
“Artan Lame, një qytetar par exellence, një historian i apasionuar, një zyrtar model, një njeri plot energji dhe dëshirë për jetën iku sot nga kjo botë në moshën 58-vjeçare. Iku kaq i ri, tamam atëherë kur ishte duke notuar në pasionin e tij kryesor, ngritjen e një muzeu për medaljet dhe flamujt, pjesë e koleksionit të tij të rrallë e mahnitës. Kam kaq shumë për të thënë për të, por në këtë moment të parë shokues, mund të them vetëm kaq. U prehsh në paqe Artan. Familja humbi njeriu e dashur, ne mikun, por Shqipëria humbi një nga dashnorët e fundit të historisë dhe shkëlqimit të saj”, shkruajti gazetari.
(Në video, Artan Lame i ftuar në emisionin Opinion, 2 Prill 2024)
Një reagim pati edhe Kadastra Shqiptare. Nëpërmjet një postimi në Facebook, institucioni që ai drejtoi shkruan se, për kolegët dhe bashkëpunëtorët, Artan Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Artan Lames, ish-drejtues i Kadastrës Shqiptare dhe një figurë me kontribut të pazëvendësueshëm në reformimin e sistemit kadastral në Shqipëri. Gjatë viteve të drejtimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ai u dallua për përkushtimin, vizionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer qytetarëve dhe interesit publik”.
“Rruga që ai hapi për një administrim më efikas të pasurive të paluajtshme mbetet një trashëgimi e rëndësishme për institucionin tonë dhe për vendin. Për kolegët dhe bashkëpunëtorët, Artan Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. U prehtë në paqe”, thuhet në reagim.
/tvklan.al