Mira Markoviç, e veja e presidentit të përgjakjes ballkanike, Sllobodan Millosheviç, ka ndërruar jetë një muaj pasi gjykata në Serbi e anuloi akuzën ndaj saj. Ajo ka ndërruar jetë në Moskë pas një lëndimi pasi kishte rënë dhe kishte thyer dorën dhe një sëmundje mushkërie. Mira, nuk kishte qenë thjeshtë zonja e parë e Serbisë.

Ajo konsiderohet si një nga projektueset e ideve të bashkëshortit të saj dhe me Partinë e së Majtës Jugosllovene JUL, kishte qenë pjesë e sistemit. Gruaja e imët, sociologia me 100 punime shkencore, kishte përfunduar në arrati në Rusi, atje ku ishte edhe anëtare e Akademisë së Shkencave.

Alleksandar Vasoviç, tani gazetar i Reuters, në atë kohë punonte për median e lirë B92. Rolin e saj e sheh si të rëndësishëm për atë që ndodhi në shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Mira Markoviç, ka qenë pëshpëritëse e Sllobodan Millosheviçit. Politikat e mëdha i ka udhëhequr vetë ai, por Mira ka patur një rol të rëndësishëm sidomos brenda në Serbi dhe ka qenë ndihmuese e politikës, pavarësisht se punët e rënda i kanë kryer njerëzit e tij”.

Varrimi i saj ende nuk dihet se si do të bëhet pasi Sllobodan Millosheviç ishte varrosur në oborrin e familjes, pa nderime shtetërore. Por, tani një pjesë e medias e qajnë vdekjen e saj.

“Familja Milloshevic dhe Mira në Serbi shihen njësoj siç është edhe politika e ndarë sot. Një pjesë do ta qajnë, një pjesë do t’i mbajnë mend si djajtë e zinj të këtij shteti, kurse të tjerët do të mundohen ta analizojnë. Gjithsesi roli më i madh në histori do t’i takojë vetëm Sllobodan Millosheviçit”.

Markoviç ishte kërkuar, por vonë. Rusia kishte konfirmuar azilin e saj politik dhe derisa ishte e kërkuara numër një, në Moskë ku qëndroi 16 vjet, ajo ligjeronte dhe bënte jetë luksoze.

Tv Klan