“Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë”

Gazetari dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare. Mësohet se ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Çastet e fundit të jetës i kaloi pranë familjarëve dhe të afërmëve të tij. 55-vjeçari ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gazetari Fatos Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 Janar në 1964. Ai ka studiuar në Unversitetin e Tiranës në Fakultetin Histori-Filologji, ku u diplomua në Histori.

Nga 1986 deri në vitin 1992 ka punuar në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Baxhaku ishte një nga pionerët e parë të shtypit të lirë dhe të pavarur.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin Klan. Më pas, Fatos Baxhaku vijoi karrierën e tij në mediume të ndryshme, ndërsa vitet e fundit punonte si gazetar i lirë.

Një jetë dedikuar gazetarisë dhe publicistikës, Baxhaku la pas një thesar veprash si serialet me reportazhe “Tunel”, “Rrugëtim” apo librat “Gur”, “Gra të përgjithshme”, “Roje” etj.

Stafi i Tv Klan shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut Fatos Baxhaku! /tvklan.al