E veja e diktatorit nuk kërkoi kurrë ndjesë për krimet e komunizmit

Ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Familja njoftoi se ajo vdiq në shtëpinë e saj, në zonën e Laprakës në Tiranë.

Ajo u vendos në këtë banesë në afërsi të sheshit ‘Shqiponja’ pas shembjes së diktaturës komuniste dhe kaloi aty 25 vite të jetës. Pesë vjet të tjera qëndroi në burg.

Me rënien e regjimit në Janar të vitit 1992, ajo u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 11 vjet, por qëndroi vetëm 5 vjet në qeli, pasi përfitoi nga amnistitë e ndryshme dhe nga ndryshimet e Kodit Penal. 

E lindur më 8 Shkurt të vitit 1921 në Manastir, në një familje me origjinë nga Dibra, ajo do të ishte një ndër figurat më enigmatike të diktaturës komuniste, për çka u quajt më vonë “zonja e zezë”.

Një nga themelueset e Rinisë Komuniste të Shqipërisë në Nëntor të 1941, 4 vite me vonë u martua me Enver Hoxhën, me të cilin pati 2 djem dhe 1 vajzë dhe mbeti që atëherë krahu i djathtë i diktatorit.

Nuk shfaqi kurrë pendesë për krimet e komunizmit, ndonëse gjatë diktaturës u vranë më shumë se 6 mijë shqiptarë, disa prej të cilëve nuk u janë gjetur ende eshtrat dhe 36 mijë të tjerë u burgosën apo u internuan.

E mbrojti gjatë gjithë jetës me fanatizëm figurën e bashkëshortit dhe në një libër autobiografik, ku rrëfen historitë e së kaluarës dhe diktatori është personazhi kryesor, dhe nuk pranon asnjë gabim të tijin.

“Unë nuk pata asnjë dilemë se ç’duhet të bëja në situatat e reja të krijuara. Si bashkëshortja e Enverit, por edhe si shoqja e tij në punë dhe në jetën politike, vendosa të mos tërhiqesha, por t’i qëndroja deri në fund besnike dhe bashkë me fëmijët e mi, të vihesha në mbrojtje të figurës dhe të veprës së Enver Hoxhës”, do të shprehej ajo në një nga intervistat e dhëna vitet e fundit.

Tv Klan