Legjenda e peshëngritjes  Ymer Pampuri është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, si pasojë e nja ataku kardiak. Pampuri u shpall kampion Bote në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972.

Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. Talentin e tij për peshëngritjen e ka zbuluar Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste.

Pampuri nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën. Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1981 hoqi dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare. 

Ymer Pampuri iu rikthye peshëngritjes në moshën 63-vjeçare. Legjenda e sportit shqiptar, por edhe një nga personat më të njohur të Cirkut Kombëtar, mori mbi supe një sfidë të re, Kampionatin Botëror për Mjeshtërinë që zhvillohet në Francë nga data 26 gusht deri më 2 shtator 2006./tvklan.al