Ish-portieri francez, njëkohësisht dhe trajneri i portierëve, Bruno Martini u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare nga një atak kardiak.

Martini luajti 31 herë për kombëtaren franceze të futbollit, ku përkujtohet më së shumti për Euro 1992, kur u ndesh në fazën e grupeve me kombëtaren angleze, mikëpritësen Suedinë dhe fituesen e atëhershëm, Danimarkën.

Ai gjithashtu ka qenë trajneri i portierëve të skuadrës kombëtare franceze nga viti 1999-2010, periudhë gjatë së cilës Franca fitoi Euro 2000 dhe ishte nënkampione e Kupës së Botës në 2006. Gjithsej ka luajtur 139 ndeshje për Auxerre dhe 113 për Montpeillier.  

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel le Graet, u shpreh: “Ai dinte si të ndërthurte eksperiencën teknike, me nivelin e tij të lartë dhe cilësitë njerëzore për të qenë në shërbim të të tjerëve. Ishte një person diskret, por i jashtëzakonshëm. Bruno është pjesë e historisë së futbollit francez. Ne nuk do ta harrojmë” .  /tvklan.al