Marko Bitraku

Ekranit të madh të kinemasë do t’i mungojë Marko Bitraku. Aktori u largua nga bota e të gjallëve në moshë 64 – vjeçare, si pasojë e një gjendje të rëndë shëndetësore.

Karrierën e tij si aktor e nisi në vendlindje, në Korçë, në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Ai ishte pjesë e kastës së aktorëve të veprave të mëdha të dramaturgjisë botërore, si “Berberi i Seviljes’ apo “Franku i V”.

Përveç teatrit, Marko Bitraku, zhvilloi edhe dashurinë e tij për kinemanë. I pari rol ishte ai i Xhandar Isufit në pelikulën “Gjeneral Gramafoni”, të njëjtin kostum, atë të xhandarit, ai e veshi te “Mësonjtorja”, por këtë herë në rolin e komandatit.

Janë disa karakteret që Marko Bitraku interpretoi gjatë dhe pas periudhës komuniste. I tillë është ai i Gjinit te “Parrullat”, apo Samiu të “I dashur armik”.

Për herë të fundit, Marko Bitrakun e pamë në filmin “Femrat”, në rolin e mjekut popullor.

Tv Klan