Rama: Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë, do të na mungosh shumë!

Aneta Rama, nëna e Kryeministrit Edi Rama është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Lajmin e ka dhënë vetë kreu i qeverisë në një postim në rrjetet sociale, mëngjesin e kësaj të shtune.

“Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam🙏“, shkruan Kryeministri në postimin e tij.

Aneta Rama ishte një ndër mjeket e para stomatologe në Shqipëri. Në 2018-n, ajo u vlerësua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, për kontributin e veçantë të saj në themelimin e stomatologjisë shqiptare.

Në atë kohë, teksa tërhoqi këtë çmim Kryeministri Edi Rama pohoi se zonja Rama e kishte të pamundur të ishte e pranishme, sepse prej disa kohësh ishte në një përpjekje jo të lehtë me një sëmundje shumë të vështirë.

Aneta Rama lindi në qytetin e Vlorës, më 1 Shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente. Ajo ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga universitetet më me emër të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961.

Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Më vonë punoi në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e specializuar në Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike. Aneta Rama është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit./tvklan.al


Më 4 Korrik, ditën e lindjes së tij, Kryeministri ndau në rrjetet sociale këtë fotografi me nënën e tij.