Admir Murataj dyshohet se është ndihmuar në grabitjen e Rinasit nga katër persona. Të arrestuarit janë Alkond Bengasi 34 vjeç, Renaldo Sula, 25 vjeç  Saimir Çela, 28 vjeç, të tre banues në Elbasan dhe 38-vjeçari Oltian Veseli, banues në Krujë. Prangosja e tyre u krye 13 ditë pas ngjarjes. Dy nga të arrestuarit kishin në pronësi servisin që gjendet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atje ku dyshohet se u modifikua dhe makina me logon “Hetimi Tatimor”.

Sipas policisë, në furgonin që u përdor nga autorët për të marrë paratë nga avioni i “Austrian Airlines” janë gjetur dhe sekuestruar prova të mjaftueshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash, si vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Nga ana tjetër për këtë ngjarje në kërkim është shpallur Klement Çala, vëllai i tij Eldi Çala, Fatjon Beqiraj dhe një femër. Kjo e fundit dyshohet se dogji në zonën e Bathores një makinë të ngjashme me atë të grabitësve për të shpërqëndruar policinë. Hetuesit kanë dyshime se personat në kërkim kanë luajtur rol aktiv në grabitjen e armatosur. 34-vjeçari Alkond Bengasi mesditën e së martës do të njihet me masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Tv Klan