MPB: S`ka hyrje për njerëzit që ofendojnë vendin dhe qytetarët

GERB, Partia e ish-Kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, ka paralajmëruar se do t`i njoftojë partnerët everopian si dhe Komisionerin e Zgjerimit të BE-së, se policia kufitare e Maqedonisë së Veriut nuk ka lejuar hyrjen në vend të Eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev dhe katër shtetasve tjerë të Bullgarisë. Sipas GERB bëhet fjalë për masa të palejueshme të autoriteteve të Shkupit.

“Në Shëngjergj, kur po përkujtojmë ushtarët e vrarë për atdheun tonë, autoritetet e RMV-së bënë aktin e paparë dhe nuk lejuan hyrjen e Shefit të GERB në Parlamentin Evropian. Masat e këtilla të palejueshme si dhe të gjitha veprimet kundër shtetasve bullgar ose kundër qytetarëve të RMV-së që haptazi shprehin identitetin e tyre bullgar, nuk kontribuojnë për integrimin evropian të RMV-së si dhe zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore midis dy vendeve”, thuhet në komunikatën e publikuar në Facebook të partisë GERB.

Dje ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë duke u shprehur të zhgënjyer nga vendimi i autoriteteve të Shkupit.

“Pala bullgarë këtë çështje do ta ngrejë zyrtarisht para autoriteteve të RMV-së por edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, pasi ngjarjet e këtilla kanë ndikim negative ndaj marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe përpjekjet e Bullgarisë për të kthyer besimin dhe krijimin e klimës pozitive”.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar se pesë shtetasve bullgar nuk u është lejuar hyrja në vend, për shkak se nuk i kanë plotësuar kushtet konform ligjit për të huajt.

Në sqarimin e policisë thuhet se personat që ofendojnë qytetarët dhe vendin nuk do t`u lejohet hyrja në Maqedoninë e Veriut.

Klan Macedonia