Ky njoftim qëndron i varur në çdo dyqan apo market lagjeje, duke paralajmëruar ndalimin e shitjes së duhanit dhe alkoolit nën moshën 18 vjeç, vendosur ligjërisht që prej vitit 2006. Pas diskutimit një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, këtij njoftimi pritet t’i shtohet edhe ndalimi i shitjes së pijeve energjike për të miturit. Pikëpyetjet ngrihen në mënyrën si do të implementohet diçka e tillë, pasi në Shqipëri, një minoren mjafton të shkojë me para në dorë në dyqan dhe mund të blejë lehtësisht një paketë duhan, edhe pse është ligjërisht e ndaluar.

 “Shitësi nuk më pyeti fare as sa vjeç jam as për kë e dua. I thashë dua një paketë cigare dhe ma dha…”

Edhe pse janë plotësisht dakord me nismën e propozuar në kuvend, prindërit mbeten skeptikë gjithsesi për mënyrën si do të zbatohet.

“Jemi shumë dakord, por sa dhe si do ndalohen se dimë…”  

Sakaq fëmijët e pranojnë që konsumojnë pije të tilla, madje dinë edhe rrezikun shëndetësor që sjellin

“Unë pi shumë pije energjike. Mami dhe babi nuk më lenë, por më pëlqen, e dimë që nuk janë të mira se na shëndoshin, po na pëlqejnë”.

Shitësit, të cilët shohin humbjen në Lek, kanë qëndrim të kundërt me këtë nismë duke cilësuar vështirësitë në zbatimin praktik.

“Jam totalisht kundër, por në qoftë thotë ligji nuk kemi  cfarë të bëjmë do i kërkojmë kartën e identitetit”.

Ky ligj deri tani ka gjetur zbatim në Britani, ku janë ndaluar kategorikisht pijet energjike dhe ato me sheqer të shtuar për fëmijët. Sipas dietologëve konsumi i tyre sjell pasojë kryesore obezitetin, dhjamosjen dhe më pas problemet kardiovaskulare që është vështirë të rikuperohen. Ftesa e tyre është qëndrimi sa më larg ndaj këtyre bombave kalorike dhe për këtë nuk duhet vetëm forcimi i ligjit, por ndërgjegjësim në radhë të parë i prindërve.

Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu