U denoncuan nga “Stop”, merrnin nga 1 deri në 5 mijë lekë pacientëve

Dy mjekët e Spitalit Rajonal të Fierit të denoncuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se u merrnin para pacientëve, u arrestuan nga policia mëngjesin e së premtes.

Mjeku psikiatër, Agim Sula dhe mjeku ORL, Eduart Shyti kërkonin nga pacientët shuma që varionin nga 1 deri në 5 mijë lekë për të ofruar shërbimet mjekësore.

Emisioni “Stop” publikoi të enjten kamerën e fshehtë, ku Psikiatri Agim Sula ishte filmuar duke i marrë një qytetareje 10 mijë Lekë te vjetra, pasi ajo kërkoi konsultë për dhimbjen e kokës.

Qytetarja –Të lutem, sa ju detyrohem?

Doktori – Po dhjetë mijë lekë jep!

Qytetarja – Të jap të vogla, të më falësh! ( i jep dhjetë mijë lekë doktorit)

Doktori – Merri aty edhe…!

Qytetarja – Shumë faleminderit!

Ndërkohë në një rast tjetër një qytetar denoncoi se si mjeku ORL Eduart Shyti, i kërkoi 50 mijë Lekë të vjetra për një ndërhyrje në vesh.

Denoncuesi: Dakord! Tani se doli kshu, 30-të t’i dhashë radhën e parë dhe 20-të tani.

Mjeku : S’ka gjë!

Denoncuesi: Shumë faleminderit!

Pas publikimit të videove të dy mjekët u ndaluan për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Po ashtu Ministria e Shëndetësisë kërkoi nga Spitali i Fierit pezullimin e tyre nga detyra, ndërsa organeve kompetente hetimin e plotë të ngjarjes.

Tv Klan