Ky dyqan, në anë të rrugës që të çon në plazhin e Gjirit të Lalzit, është bërë një stacion i preferuar për qytetaret e Tiranës që frektuentojnë këtë zonë turistike. Ky është bërë i famshëm për akulloret që prodhon, por është njëkohësisht edhe një nga pikat me të rrezikshme për shkak të ndalimit të automjeteve në rruge dhe njerëzve që kalojnë përmes saj.

Pikërisht këtu, të dielën mbeti i vdekur një djalë 23 vjeç nga Tirana. Ishte duke kaluar pikërisht rrugën për të shkuar në dyqanin e akulloreve kur një fuoristradë që udhëtonte me shpejtësi e përplasi në mënyre fatale. Tashmë shoferi, biznesmeni nga Durrësi Artan Lushaj është ndaluar nga policia. Nga dëshmitarët u mësua se automjeti që përplasi për vdekje 23-vjeçarin ka bërë dy parakalime, pavarësisht se në aks vijat janë të pandërprera.

Kjo ngjarje tashmë është nën hetim, por këtu makinat serish vazhdojnë të udhëtojnë tej normave të lejuara dhe njerëzit vazhdojnë të ecin po njësoj.

Nisur nga kjo ngjarje, Policia Rrugore e Durrësit ka urdhëruar ndalimin e qëndrimit të automjeteve në rruge pranë dyqanit të akullores. Edhe pse kjo e sotmja nuk është një ditë e ngarkuar, një patrulle policie mban vendin nën vëzhgim.

Ndërsa sezoni veror po afron, policia e Durrësit ka urdhëruar forcimin e masave sidomos në aksin Maminas- Gjiri i Lalzit, ku mijëra automjete vërshojnë çdo ditë nga Tirana drejt plazhit të këtij bregdeti. Gjatë verës, të tilla stacione të pushuesve shtojnë me tepër trafikun tejet të rënduar në këtë rrugë.

Klan Plus