Pak ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e një zonje, e cila denoncoi në ‘Stop” mashtrimin nga ana e një vajze të quajtur Ilda Kërkapi. Në muajin Dhjetor Kërkapi, i ofroi zonjës një vend pune si recepsioniste pranë prokurorisë së Tiranës. Ilda u prezantua si Ilda Kraja dhe i tha se me anë të njohjeve të saj, do t’i siguronte vendin e punës, duke kërkuar 500 euro për këtë nder.

Denoncuesja u takua me Kërkapin dhe i dha paratë. Të dyja gratë konsumuan dhe një kafe dhe Ilda i tregoi marifetet për punën e re që do të niste në Janar 2021. Por zonja nuk u punësua kurrë dhe nuk i mori paratë mbrapsht. Pas transmetimit, në “Stop” kanë mbërritur edhe shumë denoncime të tjera, që dëshmojnë për mashtrim nga ana e Ilda Kërkapit.

Prokurori Ervin Karanxha tha për “Stop”, se shtetasja Ilda Kërkapi u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë, menjëherë pas publikimit të rastit. Sipas tij bëhet fjalë për një rast të pastër mashtrimi, të përsëritur.

“Ju falenderojmë për zbulimin e këtij akti mashtrimi. Menjëherë sapo kemi marrë njoftim për ngjarjen është ngritur grupi hetimor. OPGj ka bërë veprimet e para hetimore, ka bërë këqyrjen e internetit dhe është konstatuar që kemi të bëjmë me një rast të pastër mashtrimi. Shtetësja Ilda Kërkapi që është kontaktuar dhe ka bërë mashtrimin e radhës është person me precedentë të mëparshëm penalë, ka pasur dhe mashtrime të tjera. Është shoqëruar në drejtorinë vendore të Policisë Tiranë dhe është dokumentuar fakti i mësipërm. Kemi të bëjmë me një mashtrim dhe rezulton nga verifikimet se kjo shtetase ka disa vepra penale për të cilat është proceduar nga ana jonë. Në raste të tjera ndalohen, por kemi të bëjmë me një rast specifik pasi ka një fëmijë të vogël dhe në gji”, tha prokurori.

Për shkak të fëmijës së mitur, Ilda Kërkapi po procedohet në gjendje të lirë, ndërsa materialet do të çohen për gjykim. Ajo rrezikon nga 2 deri në 6 vjet heqje lirie.

“Nuk vendoset masa e sigurisë arrest me burg për persona që kanë fëmijë të vegjël nën 3-vjeç dhe është fëmijë në gji. Po procedohet në gjendje të lirë, por procedimi do të vazhdojë, do ecë. Do të shkojë në gjyq sipas të gjitha rasteve të tjera”, tha Karanxha./tvklan.al