Shqipëria embargo Greqisë, Kosovës dhe 15 shteteve të tjera që kanë patur raste

Shqipëria ka ndaluar me një pjesë të mirë të vendeve europiane dhe rajonit importimin e shpendëve shtëpiakë dhe të egër, mishin dhe nënproduktet e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ka firmosur një urdhër i cili ndalon hyrjen apo tranzitimin e shpendëve të gjallë, mishit dhe vezëve të tyre në territorin tonë nga rajonet e Epirit, Maqedonisë dhe Trakes në Greqi, ku përfshihet kryesisht Selaniku, Janina, Dhespotria dhe Kozani, ndërsa në një urdhër tjetër të datës 1 Qershor ka bllokuar tërësisht importin nga Kosova.

Të kontaktuar nga televizioni Klan zyrtarë të ministrisë së Bujqësisë thanë se në Shqipëri ende nuk ka asnjë rast me influencën të llojit A1 të shpendëve, por masat janë marrë për të parandaluar përhapjen dhe në vendin tonë në bazë të raportimeve që ka bërë Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve.

“Aktualisht Shqipëria është pastër nga kjo sëmundje dhe për të mbrojtur territorin e vendit, strukturat e shërbimit veterinar shtetëror kanë marrë masat e nevojshme. Është rritur monitorimi i situatës epizootike në popullatën e shpendëve dhe janë hartuar masa mbrojtëse kufizuese të nevojshme duke ndaluar hyrjen në vend të importeve të shpendëve nga zonat e vendeve ku është shfaqur sëmundja.”

Në mesin e Janarit, Ministria e Bujqësisë ndaloi importin e shpendëve dhe mishit të tyre nga Polonia, Sllovakia, Çekia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Franca, Holanda, Lituania dhe Izraeli, bllokim i cili vazhdon të jetë në fuqi.

Pjesën më të madhe të importit të mishit të shpendëve Shqipëria e ka nga Brazili, por sasi të konsiderueshme ka dhe nga Greqia e Kosova.  Virusi i gripit të shpendëve mund të transmetohet te njeriu dhe të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore, por deri më sot është konstatuar vetëm 1 rast në Kinë të transmetimit të tij te njeriu.

Tv Klan