Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi të identifikuar si V.C. për veprën “

bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës

Sipas aktakuzës, “

i pandehuri V.C, më 29.12.2015 së bashku me të fejuarën e tij, L.M., kishin tentuar që t’ i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri, në atë mënyrë që me datë 29.12.2015 rreth orës 18:30 kishin udhëtuar për në Stamboll-Turqi përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe pas arritjes në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll dhe kontrollit nga ana e autoriteteve turke, të njëjtëve i është refuzuar hyrja në Turqi dhe të nesërmen me datë 30.12.2015 janë deportuar menjëherë nga Turqia për në Kosovë

“.

Sipas prokurorisë, me këtë veprim ai ka kryer veprën penale që dënohet me ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, i miratuar në mars të vitit 2015 në përpjekje për të penguar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës për t’u përfshirë në luftërat në lindjen e Mesme.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të qytetarëve që shkojnë në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

Që nga viti 2013 policia e Kosovës ka nisur hetime për 199 persona. Janë arrestuar 102 dhe deri tash janë dënuar 34 persona.

Aktualisht sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 70 luftëtarë aktivë nga Kosova janë në Siri dhe Irak. Po ashtu atje janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, ndërsa 57 qytetarë të Kosovës janë deklaruar të vdekur.

Zëri i Amerikës