Albert Veliu apo “Dëshmitari X”, që regjistroi audio përgjimin ku pretendohet se vëllai i Fatmir Xhafajt flet për një çështje droge, u ndalua të dielën në Shtime, pranë Ferizajt në Kosovë. Ai ishte bashkë me djalin e tij, në momentin e ndalimit nga policia vendase.

Ende nuk dihet motivi i ndalimit të tij, por dyshohet se Veliu ka kaluar kufirin ilegalisht.

Burime zyrtare në Prokurori dhe Policinë e Shtetit thonë se ndaj Albert Veliut nuk ka një urdhër ndalimi nga autoritetet shqiptare. Ndërsa zyra e shtypit e Policisë së Kosovës konfirmoi se bazuar në autorizimet ligjore, janë ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe se ata janë trajtuar sipas ligjit, por nuk jep motivin e ndalimit.

Veliu bashkë me të birin u dërguan në ambientet e policisë së Shtimes, ku po mbahen të izoluar. Ky i fundit është një nga personazhet e audio përgjimit në të cilin pretendohet se flet për pazare droge, me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm. Ende nuk dihet nëse Veliu do të deportohet në Shqipëri, apo do të mbahet në Kosovë. Çështja e audio-përgjimit po hetohet nga Krimet e Rënda.

Tv Klan