Ndalohet në Zvicër biznesmeni Adrian Xhillari. Administratori i kompanisë “Tea Construksion dhe Petrol sh.a” ishte i shpallur në kërkim prej vitit 2015 si njëri prej personave të përfshirë në skemën e kontrabandës së naftës “virxhin”.

Tv Klan mësoi se ai është ndaluar para pak ditësh nga pala zviceriane pas kërkesës së prokurorisë së Fierit për ekstradimin e tij. Burime zyrtare thanë pas ndalimit të Xhillarit, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar letër-porosinë bashkë me dosjen dhe kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Xhillari akuzohet për “fshehje e të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndaj tij vazhdon të qëndrojë në fuqi masa e sigurimit “arrest në burg” e dhënë në mungesë.

Sipas hetimeve, kompania e Xhillarit akuzohet se 4.4 milionë litra naftë bruto e blerë në rafinerinë e Ballshit me qëllim eksportin ishte shitur në tregun vendas duke shmangur pagimin e detyrimeve tatimore dhe të akcizës. Për këtë çështje u arrestua edhe ish-zv/Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Lula Njebza dhe ish-kreu i Doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhiu si dhe disa doganierë. Do të jenë autoritetet zvicerane që do të vendosin për ekstradimin e tij.

Tv Klan