Pranga dy mjekëve që e operuan, pamjet e atentatit

Ky është Eduart Lamaj, personi që vrau Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin në Laç, 3 javë më parë.

Është ky personi që qëllon me breshëri me një automatik kallashnikov në drejtim të dy viktimave, derisa zbraz të gjithë karikatorin. Nga video e siguruara nga Televizioni Klan dallohen Eduart Lamaj teksa futet i armatosur dhe i maskuar brenda hotelit. Më pas në lokal hyn edhe një person i dytë.

Në momentet që Eduart Lamaj dhe shoku i tij qëllonin ndaj Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, dy personat e tjerë ruanin me armë djalin e Paulin Gjergjit. Djali tenton të afrohet kur dëgjon të shtënat, por ndalohet nga personi i armatosur.

Një nga autorët afrohet te hoteli për të parë si po shkonte atentati.

Pas shkëmbimit të zjarrit, Eduart Lamaj mbeti i plagosur. Ai dallohet në video teksa ndihmohet nga shokët e tij për të dalë nga hoteli dhe për të mos lënë armën e zjarrit në vendin e ngjarjes.

Pasi u plagos, 30-vjeçari Eduart Lamaj erdhi në Tiranë tek e motra, ku u gjet brenda klinikës “Amavita”, në hyrje të Qytetit Studenti, pasi i ishte infektuar plaga.

Burime nga policia thanë se vrasësi pagoi 10 mijë euro për dy mjekët Viktor Marku dhe Besim Lama për ta operuar në kliniken private “Amavita”.

Mjekët e realizuan operacionin dhe siç shihet edhe në këtë foto, këmba po i rikuperohej.

Por ndërkohë që i riu ishte në spital, policia ishte duke e përgjuar, pasi kishte dyshime se ai ishte një nga personat që kryen atentatin.

Sapo ka rënë në gjurmët e tij, RENEA bëri arrestimin.

Policia ka arrestuar edhe dy mjekët të cilën fshehën ngjarjen.

Para hetuesve, Eduart Lamaj ka pranuar vrasjen, por thotë se nuk ka pasur qëllim ekzekutimin e tyre dhe se u detyrua t’u kundërpërgjigjet të shtënave.

Policia ka sekuestruar edhe 2 makina, një Land Rover që Lamaj e kishte marrë me qira në Lezhë, të gjetur në oborrin e klinikës dhe një Golf 5 të parkuar në Don Bosko.

Policia është në kërkim edhe të 3 personave të tjerë që ndihmuan për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ata janë identifikuar, por emrat nuk bëhen publikë.

Tv Klan