Tre muaj pas ekzekutimit mafioz të Arben Bilalit në kryeqytet, policia ka vënë në pranga një person që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Ai është Arben Tirana, 47 vjeç banues në Shkozë, i cili është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës pasi akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

I prangosuri njihet si person me precedent penal, kryesisht në fushën e vjedhjes së automjeteve. Sipas hetuesve, Tirana nuk ka patur rol në vrasjen e Bilalit, ndërsa dëshmia e tij pritet të hedhë dritë për personat që kryen ekzekutimin.

50-vjeçari Bilali u vra me breshëri automatiku shumë pranë banesës së tij. Autorët udhëtonin me një makinë Mercedez-Benz dhe dyshohet se janë vrasës me pagesë. Prokuroria ka dyshime se Bilali, të cilit i janë vrarë edhe dy vëllezër, të jetë ekzekutuar për motive hakmarrje.

Kjo për shkak se familja Bilali ka patur konflikte që prej vitit 1991 me një familje në Tiranë dhe përplasja mes tyre ka sjellë viktima nga të dyja palët. Ish-efektivi i policisë që mbeti i vrarë mesditën e 30 Janarit, i ka shpëtuar një atentati tjetër në vitin 2010. Ndërsa tre muaj pas plagosjes, atij i vrasin vëllain, Leonard Bilalin, ish-mundës i ekipit Dinamo.

Tv Klan