Një punonjës i Autoritetit të Kontrollit Ushqimor në Shkodër dhe një ish-punonjës i këtij autoriteti janë ndaluar nga policia për shpërdorim detyre.  

Ata janë Adnan Gradeci, 51 vjeç, me detyrë Inspektor pranë AKU-së Dega Shkodër dhe Abdyl Bajraktari, 53 vjeç, me detyrë ish-Inspektor, po në AKU.

Ndalimi i tyre vjen në vijim të operacionit të nisur të mërkurën, ku u arrestuan tre persona dhe u shpall në kërkim një tjetër, për prodhim të produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin.

Burime zyrtare sqarojnë se Gradeci dhe Bajraktari

“janë ndaluar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur ka qenë në punë edhe ish-inspektori Bajraktari, në objektin e firmës në pronësi të Gëzim Balës, në zonën industriale, lagje ”Skënderbeg”, ata kanë mbajtur procesverbale të rreme mbi kushtet e ambientit ku prodhoheshin produktet ushqimore”.

Të mërkurën, autoritetet në Shkodër arrestuan pronarin e firmës, 60-vjeçarin Gëzim Bala, punonjësin Elis Bala, 26 vjeç, si dhe merceologen e firmës Hydajete Elbasani, 60 vjeçe. Ndërsa në kërkim u shpall inxhinieri merceolog D. H, 45 vjeç./

tvklan.al