Amalgama dentare, që njihet ndryshe si “mbushja e dhëmbëve me ngjyrë argjendi”, do të ndalohen me ligj prej 1 Korrikut 2021. Përdorimi i mërkurit konsiderohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut, ndaj prej 6 vitesh lejohet të përdoret vetëm në formë të kapsuluar. Evis Xhaja, nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal sqaron se personat që kanë mbushje të tilla duhet të bëjnë ndërhyrje vetëm në klinikat me separator.

“I dëmshëm për sistemin mendor dhe urinar kryesisht dhe në shumë vende të Europës është ndaluar përdorimi i saj. Ato klinika që do të bëjnë këto zëvendësime do të kenë patjetër separatorin, një makinetë që thith të gjitha grimcat dhe helmet e mërkurit, për të mos dëmtuar as dentistin, as pacientin”,

shprehet Xhaja.

Veç shëndetësisë, përdorimi i mërkurit do të kufizohet edhe në sektorin industrial dhe mineral. Projektvendimi i hartuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me atë të Shëndetësisë, parashikon edhe menaxhimin e vendeve të ndotura me mërkur. 

“Projektligji synon të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisit”, 

thotë Pëllumb Abeshi, Drejtor i Politikave Mjedisore.

4 380 kilogramë është sasia e mërkurit që shkarkohet në ajër, tokë dhe ujë në Shqipëri vetëm gjatë një viti.

Tv Klan