La pas dhjetëra role në kinematografinë shqiptare

Këto ishin duartrokitjet dhe lamtumira e fundit me aktorin dhe regjisorin e mirënjohur Rikard Ljarja nga familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij.

As përballë një situate që kërkon masa strikte për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ata nuk e braktisën, duke i dhënë përcjelljen e merituar drejt vendlindjes së tij në Shkodër, si zbatim i amanetit të fundit që kishte.

Ai u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, në banesën e tij në Tiranë, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rendë.

Aktori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare u diplomua në vitin 1965 në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, në Tiranë.

Ljarja e nisi karrierën si aktor në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor. Në bardh e zi ose me ngjyra, rolet që Rikard Ljarja la pas janë një thesar arti për publikun shqiptar.

Do të mbeten të gdhendura rolet e komandantit në filmin “Radiostacioni”. Mësuesi te “Komisari i Dritës”. Skënderi në “Duel i Heshtur” i vitit 1967…por mbi të gjitha Deda në “Rrugët e Bardha”.

Tv Klan