Futbolli shqiptar mori një lajm të trishtë mbrëmjen e 15 Prillit, kur lojtari Bledar H., ndërroi jetë në ndeshjen e futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League Albania”, FC Dajti-FC Lumninese në Shtëpinë e Futbollit.

Lojtari i FC Dajti, 28-vjeç, shfaqi probleme shëndetësore dhe u rrëzua në fushë, ndërsa pavarësisht ndihmës së mjekëve, ai ndërroi jetë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me një mesazh ngushëllimi në profilin e tij, e ka cilësuar si lajm tronditës, ndërsa shkruan se kjo humbje tragjike prek të gjithë familjen e futbollit shqiptar.

“Ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit amator, Bledar Hajdari, gjatë një ndeshjeje të kampionatit “FSHF Sunday League Albania” është një lajm tronditës, që më ka hidhëruar pa masë.

Një humbje tragjike që na prek të gjithëve në familjen e futbollit shqiptar. Në këto momente të dhimbshme, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hajdari, të afërmit, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij.

Bledari ishte shembull i dashurisë për futbollin, një djalë i përkushtuar që u largua shumë herët, por që do të kujtohet gjithmonë me respekt. U prehsh në paqe, Bledar”, shkruan Duka.

/tvklan.al