Humbja e parakohshme e ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani i ka tronditur të gjithë. “Opinion” në Tv Klan pjesën e parë të emisionit të sotëm ia ka dedikuar politikanit që u nda nga jeta në moshë të re.

Blendi Fevziu u shpreh se Bogdani ishte një prej atyre politikanëve që nuk e refuzonte debatin dhe gjithmonë vinte i përgatitur.

Gazetari Fevziu tha se Bogdani ishte një nga politikanët e rrallë shqiptarë, tipik qytetar e që kurrë nuk sulmoi apo shau dikë.

“Sot rreth mesditës, dy mandate deputet i kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht një prej figurave të njohura në dy dekadat e fundit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në moshën 44-vjeçare. Gert Bogdani ka qenë shpeshherë i ftuar këtu në studion e emisionit “Opinion”. Ka qenë një prej atyre politikanëve që kurrë nuk ka refuzuar, pra i ka pritur gjithmonë me mjaft optimizëm ftesat për të qenë i pranishëm këtu. Ishte një nga ata njerëz që sa herë unë e mbaj mend vinte gjithmonë i përgatitur në studio për temën për të cilën kishte ardhur të fliste dhe njëkohësisht është një prej atyre personazheve që nuk pati asnjëherë kulme të jashtëzakonshme në politikë, nuk pati poste të mëdha drejtuese. Ishte gjithmonë një politikan aktiv, por jo i niveleve më të larta, por ishte padyshim që ishte një nga politikanët e rrallë, tipik qytetar në politikën shqiptare. Ishte një prej atyre politikanëve që kurrë nuk sulmoi, nuk shau, nuk fyeu askund”, tha Fevziu.

Gerti Bogdani u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare këtë të mërkurë si pasojë e një arresti kardiak.

Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës së tij do të bëhen ditën e enjte, 19 Shtator 2024, në sallën e seancave plenare të Kuvendit nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Gerti Bogdani do të prehet në varrezat e Sharrës./tvklan.al