Në 11 Janar mori dozën e parë të vaksinës

16 ditë pasi bëri vaksinën, mjeku infeksionit Pëllumb Pipero u konfirmua pozitiv me koronavirus nga tamponi. Pipero ishte ndër të parët mjekë, që mori vaksinën e Pfizer kundër Covid-19, në datën 11 Janar, në stadiumin “Air Albania”.

Mjeku Pëllumb Pipero, i cili shërben në spitalin Covid 1, mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka shfaqur vetëm shenja të lehta klinike, ndërsa një ditë para se të rezultonte pozitiv, është parë teksa hynte në Institutin e Shëndetit Publik. Në një reagim që bëri në rrjetet sociale, ai thotë se bashkë me specialistët e ISHP janë duke e investiguar rastin duke shtuar se infektime pas marrjes së vaksinës kanë ndodhur edhe në vende të tjera të botës.

Ky është rasti i parë në Shqipëri, kur një mjek infektohet me Covid pasi ka marrë vaksinën. Sipas ekspertëve, një i vaksinuar ka krijuar mbrojtje pas 14 ditësh kur krijohen edhe antitrupat, por mbrojtja përfundimtare, krijohet pas marrjes së dozës së dytë.

Mjeku Pëllumb Pipero pritej të vaksinohej me dozën e dytë më 2 Shkurt, ashtu si edhe 50 mjekët dhe infermierët e vaksinuar më 11 Janar në stadiumin “Air Albania”.

Edhe pse janë të rralla rastet e infektimit pas vaksinës, ekspertët janë të mendimit që situata klinike në këto raste është e lehtë.

Në ditën e parë të aplikimit të dozave të Pfizer u vaksinuan edhe shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, më pas kreu i qeverisë Edi Rama, mjeku Pëllumb Pipero dhe infeksionisti Tritan Kalo.

Tv Klan