Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq të Ervin Muçën, aktualisht me masë sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ për veprën penale ‘Hyrje e paautorizuar kompjuterike’.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore për çështjen penale nr.5404, datë 01.09.2023, rezultoi se: i pandehuri Ervin Muça, në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre”, njoftoi prokuroria.
Sipas organit të akuzës, Muça ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB.
Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up.
“Konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent”, njoftoi prokuroria.
“Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht”, shtoi organi i akuzës.
Prokuroria thotë se ka vendosur që të bëjë ndarjen e çështjes sa i takon veprës tjetër penale, atë të shpërdorimit të detyrës.
Ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça është në arrest shtëpie aktualisht. Pas këtij rasti, në parlament u ngrit edhe një komision hetimor ku dëshmuan përveç Muçës, edhe ish-drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla./tvklan.al